Hetimet e SPAK, Kuvendi shton 5 prokurorë, shkak ngarkesa e punës

Kuvendi vendosi që të shtojë 5 prokurorë pranë SPAK. Arben Kraja kishte paraqitur pranë Komisionit të Ligjeve kërkesën për shtim stafi në argumentin se puna në këtë institucion është rritur dhe një nga arsyet është OFL-ja.

“Gjithashtu, ka një rritje të theksuar të hetimeve pasurore përfshirë OFL-në”, shprehet Kraja.

Të vetëdijshëm se puna e Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është rritur për shkak të referimeve të OFL-së, deputetët dhanë dritën jeshile pa asnjë hezitim.

Për të mbështetur këtë vendim të tyre, ishin të dhënat që ka paraqitur zëvendësministri i Brendshëm, Juljan Hodaj, gjatë shqyrtimit të aktit normativ për OFL që parashikon se referimet e bëra në SPAK deri në 31 dhjetor 2020 do të vijojnë të shqyrtohen nga organi i akuzës.

“Në total, duke referuar 243 praktika pranë SPAK. Kur flasim për 243 praktika duhet të kemi parasysh që subjektet janë shumë më tepër dhe flasim për 1887 pasuri në total.”

Të dyja këto vendime do të shkojnë për miratim në seancë plenare e cila pritet të jetë thjesht formale pasi të dyja nismat morën bekimin nga Komisioni i Ligjeve.