Rrëshqitja e rrugës, Bashkia e Lezhës krijon by-pass provizor për banorët

Prej më shumë se 10 ditësh, rruga Lezhë-Ungrej në afërsi të Kallmetit është e dëmtuar si pasojë e një rrëshqitje masive gjatë periudhës së shirave në 7, 8 dhe 9 janar.

Për pasojë, mbi 1 mijë banorë të fshatrave të ndryshëm që përdornin këtë rrugë janë thuajse të izoluar me qytetin e Lezhës.

Dëmtimet janë serioze dhe riparimi i rrugës kërkon një studim të mirëfilltë gjeologjik dhe inxhinierik. Disa prej banorëve nuk kanë ngurruar të kalojnë në atë që ka mbetur prej rrugës, edhe pse kjo e fundit ishte deklaruar si e  bllokuar nga autoritetet.

Ermal Bacaj, nënkryetari i Lezhës

Ndërkohë, bashkia e Lezhës duket se ka gjetur një zgjidhje provizore me anë të një by-passi për të mundësuar kalimin e banorëve të 7 fshatrave që përdorin këtë rrugë për t’u lidhur me qytetin e Lezhës.

Ka pasur një rrëshqitje shume te madhe, rreth 200 metra katrorë dhe ekspertët na kanë sugjeruar një by-pass si zgjidhje provizore”, thotë nënkryetari i Lezhës, Ermal Bacaj.

Bashkia e Lezhës gjatë periudhës së shirave u përball më së shumti me fenomenin e rrëshqitjes së dherave e ndërsa autoritet kanë paralajmëruar të tjera shira të dendur këtë fundjavë, duket që dëmet e shkaktuar nga përmbytjet e para 19 ditëve ende nuk janë riparuar duke paraqitur rrezik të shtuar në shirat e radhës.