10-vjetori i 21 Janarit. Rama shpall “Dëshmorë të Atdheut” 4 viktimat

Në përkujtimoren e 10 të viktimave të 21 janarit 2011, kryeministri Edi Rama njofoti se Hekuran Deda, Aleks Nika, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”. Në ceremoninë e zhvilluar në Kryeministri, kreu i qeverisë anashkaloi kërkesën e prokurorisë për rihapjen e hetimeve. 

Katër demonstruesit e vrarë në protestën e 21 janarit 2011 u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”. Lajmin e njoftoi vetë kryeministri Edi Rama, në ceremoninë që përkujton 10-vjetorin e protestës në të cilën humbën jetën Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. 

“Të përulur me mirënjohje të madhe përpara kujtimit të këtyre katër dëshmorëve, humbja e jetës së të cilëve faktikisht vuri një vijë të kuqe dhe qartësisht të lexueshme për të gjithë”, tha Rama.

Folësi i vetëm në ceremoni ishte pritësi i familjarëve të të ndjerëve.

Edi Rama, pa folur me emra konkretë, paralajmëroi ndryshime në kursin e drejtësisë sa i takon ngjarjes së 21 janarit 2011: “E nesërmja nuk ka asnjë diskutim që do ta vulosë si rol historik gjithçka që ne kemi bërë dhe po bëjmë qysh se kemi hapur kapitullin e pastrimit të sistemit të drejtësisë dhe transformimit të tij”.

Në kërkim të drejtësisë janë edhe familjarët e viktimave dhe shpresën për drejtësinë e munguar duket se ia japin institucionet e reja të drejtësisë. Xhaxhai i Aleks Nikës u shpreh: “Nuk kërkojmë drejtësi nga qeveria. Drejtësi kërkojmë nga drejtësia shqiptare, jo nga kryeministri”.

Edi Rama, së bashku me familjarët e viktimave, vendosën karafila të kuq në vendet ku u vranë katër protestuesit. Homazhet këtë vit ishin nën masat anti-covid, por numri i qytetarëve në Bulevarin Dëshmorët e Kombit nuk e tregoi një gjë të tillë.