Drejtësia e papërfunduar për 21 Janarin, Rama: Qeveria nuk është Prokurori dhe kryeministri nuk ngre akuza penale

Kryeministri Edi Rama deklaroi se është “i vetëdijshëm se sa herë vjen 21 Janari, disa ngrenë akuzën në drejtimin tonë, duke thënë një të vërtetë se drejtësia për 21 Janarin është e papërfunduar, por duke ngatërruar, nga ana tjetër, kohën ku jemi sot”.

“Parlamenti nuk bën gjyqe, qeveria nuk bën rolin e prokurorisë dhe as ministri i Drejtësisë apo kryeministri nuk mund të ngrenë akuza penale, për t’ ia çuar gjykatës së partisë. Këto i bën pushteti gjyqësor, që është krejt i pavarur nga pushteti legjislativ dhe ekzekutiv. Shumëkush e konsideron këtë përpjekje për të justifikuar faktin se ende sot drejtësia nuk e ka kryer detyrën e vet. Por, ky nuk është justifikim, por e vërteta. Ne nuk kemi ndenjur duarkryq, përkundrazi. Nëse nuk e bëjmë dot prokurorin apo gjykatësin, jemi ne që kemi detyrimin për të siguruar të gjithë ngrehinën ligjore dhe rregullatore të një sistemi drejtësie që të jetë në gjendje të bëjë këtë që njerëzit kërkojnë për 21 Janarin dhe për shumë padrejtësi të tjera”, theksoi Rama.

Kryeministri shpalli sot “Dëshmorë të Atdheut” viktimat e 21 Janarit: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.