“Drejtësitë” e 21 janarit, dëmshpërblim moral dhe financiar, por askush pas hekurave

Vendimi i Qeverisë për të shpallur Dëshmorë të Atdheut katër viktimat e 21 janarit u parapri nga ndryshimet në ligjit për statusin e dëshmorit të dy viteve më parë.

Përveç këtij statusi, familjarët e tyre kanë mundur të përfitojnë edhe një dëmshpërblim financiar.

Rrugëtimi i familjarëve të 21 janarit në kërkim të drejtësisë do të vijojë. Gjatë këtyre 10 viteve, ata kanë mundur të marrin vetëm drejtësinë financiare pasi qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje për dëmshpërblimin e tyre në masën e rreth 2.1 milion eurove.

Pas asaj financiare, familjarët morën edhe drejtësinë morale pasi katër viktimave e 10 viteve më parë tashmë gëzojnë statusin “Dëshmor të Atdheut”.

Maxhoranca socialiste, në dhjetorin e vitit 2018, ndryshoi ligjin e posaçëm për ata që mundtë gëzojnë këtë status, duke bërë një shtesë sa I përket rasteve se kur mund të kërkohet dhënia e titullit “Dëshmor i Atdheut”. 

“Dëshmori Atdheut mund të shpallen shtetasit shqiptarë të vrarë gjatë tubimeve paqësore dhe pa armë për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe ata që kanë humbur jetën në krye të detyrës në mbrojtje të procesit zgjedhor, pas datës 8 dhjetor 1990”. 

Në bazë të ligjit të ndryshuar dy vjet më parë, Komisioni Qendror i Statutit të Dëshmorit, nën varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, ka aprovuar kërkesën një ditë para 10 vjetorit të protestës.

Kush kërkon edhe një drejtësi penale, përveç asaj morale e financiare, shpresat i ka në faktin se për dy prej viktimave, ende nuk është gjetur autori.  Sytë janë nga organet e reja të dala nga reforma në drejtësi.