Eksportet shqiptare ranë me 217 milionë euro, kërkohen politika për diversifikimin

Eksportet e mallrave shqiptare ranë me 26,8 miliardë lekë, apo rreth 217 milionë euro gjatë vitit të kaluar. Grupet kryesore Made in Albania (këpucët, veshjet, hidrokarburet, giza dhe çeliku) shënuan të gjitha rënie për shkak të kërkesës së dobët nga partnerët tregtarë, që vuajnë ende pasojat e pandemisë.

Sipas ekspertit për ekonominë, Gent Beqiri, kjo situatë reflekton politikat e munguara për diversifikimin e eksporteve, ku sot prodhojmë pak artikuj dhe i shesim në një numër të kufizuar shtetesh.

Sipas Beqirit, pandemia ka krijuar një revolucion në zinxhirin e furnizimit botëror, prej nga i cili Shqipëria duhet të shfrytëzojë mundësinë për të kapur tregje të reja.

Ecuria e eksporteve shqiptare do të vijojë të jetë e kufizuar nga kërkesa e ulët nga ana e partnerëve tregtarë edhe përgjatë pjesës së parë të vitit, ndërsa do të mund të përfitojnë vetëm ato produkte që kanë kosto më të ulët.

Beqiri këshillon për sektorët më të prekur, kalimin në platformat digjitale të e-commerce, për të shitur produktet e tyre apo stokun edhe në tregun vendas.