Kërkesa për rihapjen e 21 janarit, Felaj: Dy nga të plagosurit nuk u morën në pyetje, ishin të terrorizuar, u larguan nga Shqipëria

Një ditë para 10 vjetorit të “21 janarit” policia bëri një kërkesë për hapjen e hetimeve për këtë çështje. E ftuar në “Absolut 4”, Ermonela Felaj, kryetare e Komisionit të Sigurisë, foli për këtë çështje dhe pse kjo kërkesë erdhi në këtë moment.

Felaj u shpreh se prokuroria u pengua në punën e saj. “Në rastin e Aleks Nikës, është e faktuar, të paktën nga hetimet e zhvilluara deri në momentin që dosja është pezulluar që autori që qëlloi me armë ndaj tij nuk është identifikuar për shumë arsye. Një prej tyre është se prokuroria nuk u lejua të marrë provat. Serverat i mori tjetërkush në dorë. Nga ana tjetër, është detyra e policisë që të punojë me dosjen në kohën që ajo qëndron e pezulluar. Në momentin që policia bindet që ka rrugë dhe mënyra që mund të çojnë drejt zbulimit të autorit të ngjarjes dhe rrjedhimisht edhe të së vërtetës, ajo i drejtohet me një kërkesë prokurorisë”, tha Felaj.

Por pse ndodhi në këtë kohë kërkesa e policisë?

“Nuk mendoj se është zgjedhur një kohë posaçërisht. Ajo është një ngjarje masive dhe jo një ngjarje e lehtë për t’u hetuar. Dy nga njerëzit që janë përmendur aty dhe që janë plagosur atë ditë, Erald Bisha dhe Artes Dybeli… unë kam qenë e angazhuar në një veprim nga PS, për të rikuperuar aq sa të ishte e mundur dëshmi dhe të dhëna lidhur me ngjarjen. Kam marrë pjesë në marrjen në pyetje të këtyre njerëzve dhe Erald Bisha dhe Artes Dybeli nuk janë pyetur nga policia edhe për faktin se kanë qenë shumë të terrorizuar. Ata ishin plagosur rëndë dhe janë detyruar edhe të largohen nga Shqipëria. Unë gjykoj që ai gjykim të riçelet. Si parim, personat që dënohen me vendim të formës së prerë, por ka raste kur mund t’i rikthehesh”, u shpreh kryetarja e Komisionit të Sigurisë.