Njihuni me stadiumin më të kushtueshëm në botë, është pothuajse gati

Në qoftë se ka një strukturë sportive që duket e ardhur nga e ardhmja, kjo do të jetë pikërisht Allegiant Stadium, i ndërtuar pak hapa nga bulevardi kryesor i Las Vegas, por jo shumë larg edhe nga shkretëtira e Nevadës.   

Jo më kot, stadiumi tashmë i përfunduar dhe që do te jetë shtëpia e Raiders në futbollin amerikan NFL dhe Rebels në atë universitar NCAA, është më i kushtueshmi në histori.  

Stadiumi, me një kapacitet 65 mijë deri në 72 mijë sipas kërkesave, ka kushtuar rreth 1.9 miliard dollarë, por sipas sipërmarrësve do t’i nxjerrë paratë në kohë të shkurtër.

Përtej kufizimeve të COVID, llogaritet që struktura do të punësojë rreth 6 mijë persona dhe do të gjenerojë çdo vit rreth 620 milionë dollarë, plus sponsorizimin e kompanisë ajrore Allegiant, që me 30 milionë dollarë në vit i ka dhënë emrin stadiumit.

Teknologjia dhe komforti janë në plan të parë. Fusha është ndërtuar në mënyrë të tillë që kur nuk luhet, të rrëshqasë falë dhjetëra motorë jashtë kupolës, në mënyrë që tapeti natyral të ripërtërihet me dritën  e diellit dhe klimën e ngrohtë të Nevadës.  

Ambienti i brendshëm i stadiumit është totalisht i klimatizuar, por me një çati xhami ku depërtojnë rrezet e diellit. Në një qytet si Las Vegas, nuk mund të mungojnë tifozët VIP, dhe për këtë arsyeje janë projektuar 127 suita private me pamje nga fusha), si dhe 8mijë vende të rezervuara.