Rama kujton 21 Janarin: Ne nuk e kemi vënë assesi në pikëpyetje jetën e protestuesve

rama 9 1100x620

Kryeministri Edi Rama, në një takim me familjarët e viktimave të 21 Janarit, u shpreh se, “në situata shumë herë më dramatike, nga pikëpamja e kërcënimit të fuqisë së protestës, në tejkalim të kornizës që përcakton Kushtetuta dhe ligji për të drejtën për të protestuar, kemi garantuar një reagim proporcional, duke siguruar në çdo rast që jeta e protestuesit të mos vihet assesi në pikëpyetje”.

“21 Janari, përtej plagëve që hapi në shpirtin e familjeve të 4 dëshmorëve dhe përtej plagës së madhe që hapi në shoqërinë tonë, shërbeu për të nxjerrë në pah në sytë e të gjithëve, llumin e politikës dhe drejtësisë. Sot, kemi të gjitha arsyet për t’u përulur me mirënjohje përpara kujtimit të këtyre 4 dëshmorëve, humbja e jetës së të cilëve vuri një vijë të kuqe për të gjithë, duke e bërë të pakapërcyeshme forcën e shtetit në raport me lirinë dhe të drejtën për të protestuar. Jam krenar që ne si pjesë e asaj përpjekjeje në një kohë tjetër dhe tejet të vështirë, me marrjen e përgjegjësisë së qeverisjes së vendit, kemi qenë mishërimi i një vullneti të palëkundur për të garantuar për të gjithë lirinë e të drejtën për të protestuar dhe në situata shumë herë më dramatike, nga pikëpamja e kërcënimit të fuqisë së protestës, në tejkalim të kornizës që përcakton Kushtetuta dhe ligji për të drejtën për të protestuar, kemi garantuar një reagim proporcional, duke siguruar në çdo rast që jeta e protestuesit të mos vihet assesi në pikëpyetje”, tha Rama.