Valbona pa investime, perla e turizmit malor prej 2 javësh pa energji elektrike

Që prej fundit të dhjetorit të vitit të kaluar, natyra bëri gjithçka gati, duke zbukuruar me mantelin e bardhë një nga perlat e turizmit malor në Shqipëri, luginën e Valbonës. Por, ajo që ka munguar kanë qenë pikërisht vizitorët.

Sa prej pandemisë, por edhe për shkak të infrastrukturës së dobët, Valbona është vizituar nga shumë pak turistë. Dhe një prej shkaqeve është pikërisht mungesa prej javësh e energjisë elektrike. Administratorët e bujtinave shprehen se mungesa e energjisë krijoi humbje po aq sa pandemia, dhe sipas tyre sezoni i turizmit malor do të ishte më i suksesshëm nëse do të kishte më shumë investime në infrastrukturën e energjisë.

“Gjithçka është e varfër këtë vit, kemi pasur probleme të mëdha me energjinë elektrike, të paktën 2 javët e fundit. Edhe ata që erdhën, u detyruan të ikin”, thonë për A2 banorët.

“Gjithçka është më e varfër këtë vit, kemi pasur probleme të mëdha me energjinë elektrike, të paktën 2 javët e fundit”

Por, Valbona nuk ka vetëm problemin e energjisë elektrike. Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi, thotë se në Valbonë ka probleme edhe me ujërat e zeza dhe furnizimin me ujë të pijshëm, dhe më në fund ka një fije shprese për të realizuar atë që në fakt duhej të ishin kushtet minimale për të zhvilluar një zonë turistike.

“Në Valbonë ka pasur probleme për ujërat e zeza dhe furnizimin e ujit të pijshëm. Fondi është miratuar dhe presim sa më shpejt vijimin e punës, për t’i bërë realitet. Problemi kryesor mbetet furnizimi i energjisë elektrike, që ka qenë gangrenë. Por edhe aty këtë vit do të fillojë një investim nga e para”, thotë kryetari i bashkisë.

Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi

Valbona është një park natyror që nuk njeh stinë, për t’u vizituar pasi në çdo kohë ka një bukuri mahnitëse, por ndërsa natyra ka falur bujarisht gjithçka kishte në dorë, mbetet në dorën e njerëzve që të krijojnë kushtet minimale për zhvillimin e turizmit në këtë zonë.