Vrasjet e 21 janarit 2011, Policia kërkon rifillim të hetimeve, por pa paraqitur prova të reja

Policia e Tiranës kërkon në prokurori rihapjen e hetimit për ngjarjen e 21 janarit 2011. Një ditë para 10 vjetorit të vrasjes së katër protestuesve në bulevardin para kryeministrisë, policia i ka dërguar një kërkesë shkresore prokurorisë së kryeqytetit ku kërkon rifillim të hetimit.

Policia  kërkon disa hetime shtesë si dhe rieksperiment për drejtimin e qitjes në vrasjen e Aleks Nikës e Hekuran Dedës si dhe plagosjes së 7 personave të tjerë. Gjithashtu është kërkuar dhe një riekspertim të predhës së gjetur në trupin e Nikës.

Në shkresën dërguar prokurorisë ajo që vihet re krahas gabimeve të shumta ortografike është mungesa e provave të reja të cilat mund të riçelin një dosje të mbyllur nga drejtësia shqiptare. Në thelb, Policia e Shtetit i kërkon vetes së saj, Policisë, në pikën 2, të mësojë nëse Instituti i Policisë Shkencore ka përparuar me shkencën dhe teknikën kriminalistike ekzaminuese.

Kërkesa, një kopje të së cilës A2 e zotëron, ka 7 pika.

1. Të bëhet rieksperimenti hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes për vrasjen e shtetasve Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erald Bisha, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.

2. Të bëhet rieksperitimi i predhës së gjetur dhe sekuestruar nga trupin e viktimës, Aleks Nika, kjo duke i kërkuar Institutit të Policisë Shkencore nëse shkenca dhe teknika kriminalistike ekzaminuese ka përparuar.

3. Të bëhet ripyetja e personave që kanë dijeni, kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të Gardës, të planëzuar me shërbim në datën 21 janar 2011.

4. Ripyetja e personave pjesëmarrës në tubim, të afërm të viktimave si dhe persona dëshmitarë që kanë qenë pranë viktimave nëse kanë mësuar ndonjë të dhënë të re me interes për hetimin.

5. Të bëhet rikëqyrja e pamjeve filmike të tubimit të datës 21 janar 2011 duke u fokusuar konkretisht në vrasjen e shtetasve Ziver Veizi, Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erlad Bisha, Artes Dybelli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.

6. Të kërkohet me anë të shkresës zyrtare në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë nëse ka laborator për ekzaminime kriminalistike në vendet e Bashkimit Europian ose jashtë saj, në gjendje të ekzaminojnë predhën e nxjerrë nga trupi i Aleks Nikës.

7. Si dhe veprime të tjera që mund të dalin nga kryerja e detyrave të mësipërme.

Disa pika më poshtë bën një tjetër pyetje sipas së cilës të kërkohet me anë të shkresës zyrtare IPSH nëse ka laborator për ekzaminime kriminalistike ne vendet e BE- se dhe jashtë saj në gjendje të ekzaminoje predhën e nxjerrë nga trupi i Aleks Nikës.

Veç kësaj, Policia kërkon të rimerren në pyetje dhe efektivët apo ish-efektivët e Gardës që kanë qenë të stacionuar në godinën e Kryeministrisë. Krahas tyre kërkohet dhe rimarrja në pyetje e familjarëve por edhe personave që kanë qenë pranë viktimave nëse kanë mësuar ndonjë të dhënë me interes për hetimin.

Kalimi i dosjes “21 janari” në të tre shkallët e gjyqësorit përfundoi me dënimin e ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi, me 1 vit burg dhe gardistit Agim Llupo, me 3 vite, për “vrasje nga pakujdesia” të Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit. Llupo u dyshua edhe për vrasjen e Hekuran Dedës, por akuza nuk u provua në gjykim, duke e lënë këtë vrasje pa autor. Ndërsa për vrasjen e Aleks Nikës drejtësia nuk ka pasur asnjë të dyshuar konkret. Predha e gjetur në trupin e tij ishte dëmtuar aq shumë sa nuk mund të identifikohej arma nga e cila ishte shtënë.