Xhaçka me ambasadorët e BE: Shqipëria ka përmbushur kushtet, BE të mbajë fjalën

eu xhacka 600x338

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një videokonferencë me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Në një postim në Twitter, Xhaçka thekson se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi në BE dhe Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet. Ajo i kujtoi BE-së që duhet të mbajë fjalën.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi në BE. Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet. Mbetemi optimistë që BE do t’i qëndrojë fjalës së saj duke arritur në një kompromis për kornizën negociuese dhe duke caktuar një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare gjatë 2021”.

Ajo falënderoi ambasadorin Soreca për organizimin e mbledhjes dhe ambasadorët e tjerë që shprehën gatishmërinë dhe vullnetin e tyre për bashkëpunim.

“Zhvillova një videokonferencë me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së. Mirënjohje ndaj ambasadorit të Bashkimit Evropian, Soreca për punën e tij të mirë dhe për organizimin e mbledhjes, ku shkëmbyem pikëpamjet tona rreth këtij viti vendimtar për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Falënderova ambasadorët për gatishmërinë dhe vullnetin e tyre të mirë për një bashkëpunim të frytshëm”.

Nga ana e tij Soreca nënvizoi se disa nga temat e diskutimit ishin integrimi i Shqipërisë në BE, përgjigjja ndaj COVID, vaksina dhe politika e përbashkët e jashtme, ndërsa përsëriti mbështetjen ndaj vendit tonë.

“Shkëmbim konstruktiv i pikëpamjeve midis ambasadorëve të Bashkimit Evropian dhe Ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka. Integrimi i Shqipërisë në BE, përgjigjja ndaj COVID, vaksina dhe politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë. Shqipëria do të vazhdojë punën e saj për të lëvizur drejt Konferencës së Parë ndërqeveritare, BE do të vazhdojë të sigurojë mbështetje konkrete për qytetarët e Shqipërisë”.