Debati për përgjimet, PD, akuza Veliajt, kryebashkiaku: Lajme të rreme. Reagon edhe Meta

Partia Demokratike akuzoi kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, si person i lidhur me mafien në Itali. Duke iu referuar disa përgjimeve të antimafies të publikuara në media, Grida Duka nënvizoi se tashmë edhe një zyrtar tjetër i lartë i PS-së është subjekt i drejtësisë italiane.

“Historia është përsëritur. Pas Saimir Tahirit, në rrjetën e Antimafias italiane ka rënë Erion Veliaj. SPAK është larg asaj që presin shqiptarët për të goditur korrupsionin e politikanëve dhe për të dërguar peshqit e mëdhenj para drejtësisë”, tha Grida Duma.

Erion Veliaj zgjodhi që këtyre akuzave t’i përgjigjej publikisht. Në mbledhjen e asamblesë së Partisë Socialiste në Rrogozhinë, kryebashkiaku i Tiranës i cilësoi përgjimet e publikuara si lajme të rreme.

“Do dëgjoni në këtë fushatë çudira, ku do dalim që kemi qenë shokë çerdheje me Eskobarin, lloj-lloj çudirash. Strategjia e Saliut ka qenë përça dhe sundo. I funksionoi, por tani shqiptarët kanë parë botë me sy, dinë çfarë janë lajmet e rreme”, reagoi Veliaj.

“Dëshirat e mafias italiane për t’u futur në industrinë e ndërtimit janë dëshira të tyre dhe të PD-së. Ne nuk ndalojmë dëshira, por veprime konkrete! I bëj thirrje Prokurorisë që të hetojë cilindo që tenton të flasë në emër të Bashkisë së Tiranës apo të çdo institucioni tjetër lidhur me histori të tilla”.

Pjesë e këtij debate u bë edhe Presidenti Ilir Meta i kërkoi angazhimin e drejtësisë shqiptare.

“Të gjitha çështjet i referohen zhvillimit më të fundit në Itali dhe të drejtësisë italiane për gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë, padyshim që duhet të ndiqen menjëherë edhe nga institucionet tona”, tha Meta.

Prej dy ditësh, Erion Veliaj është akuzuar publikisht nga opozita si i lidhur me mafien italiane për të pastruar parë në Tiranë nëpërmjet pallateve shumëkatëshe.