Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
25 Janar 2021, 08:05 | Bota
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Turqia merr 6.5 milionë doza të tjera vaksine

Rreth 6,5 milionë doza të vaksinës kineze CoronaVac do i dorëzohen sot Turqisë, pas marrëveshjes më të fundit. Njoftimin e bëri Ministri i Shëndetësisë në Turqi sipas të cilit: "Në përputhje me akordin e blerjes, dërgesat e vaksinave do të vazhdojnë normalisht". Vaksinimet masive filluan në Turqi më 14 janar, pasi sasia e parë prej 3 milionë dozave të vaksinave të zhvilluara nga SinoVac, mbërriti, më 30 dhjetor. Më vonë, u miratua ngarkesa e dytë me 10 milionë doza. Mbi 1,23 milionë njerëz, kryesisht punëtorë shëndetësorë dhe persona të moshuar, janë vaksinuar që prej 14 janari, ndër të parët ishte edhe presidenti Erdogan.

Lehtësohen masat në Lombardi, rihapen shkollat

Pas një gabimi të bërë në vlerësimin e rasteve të reja me Covid 19 që e cilësoi rajonin e Lombardisë një zonë të rrezikshme dhe solli izolimin e saj, nga dje, korrigjimi i bërë i vendimit solli edhe lehtësirat. Në bazë të këtij hapi sot rikthehen në bankat e shkollës 560 mijë nxënës të sistemit 9-vjeçar që deri të premten po e bënin mësimin online. 400 mijë të tjerë të shkollave të mesme pritet t’i bashkohen gjatë ditëve në vijim pas plotësimit të kushteve të nevojshme.

Studimi në Britani, personat e vaksinuar mund të infektojnë

Personat që janë vaksinuar kundër koronavirusit, sërish mund të infektojnë të tjerët. Zëvendësshefi mjekësor në Britani të Madhe, Jonathan Van-Tam, nisur nga ky studim apelon për vijim të zbatimit të rregullave anticovid. “Asnjë vaksinë nuk është 100 për qind efektive, ndaj edhe nuk ekziston mbrojtja e garantuar. Edhe pasi të keni marrë të dyja dozat e vaksinës, ju ende mund t’ia transmetoni koronavirusin dikujt tjetër dhe zinxhiri i bartjes vazhdon”, tha ai . Sistemi i vaksinimit po shkon mirë në Britani, dhe sot Sistemi Kombëtar i Shëndetësisë njoftoi se do të hapen qendra të reja të vaksinimit.

Gjermania do të përdorë në spitale ilaçin që shëroi Trump

Ekspertët pohuan së shërimi i shpejtë i Donald Trump nga koronavirusi u bë në sajë të një trajtimi që rezultoi efektiv, ai me antitrupa nga personat e shëruar nga kjo sëmundje. Të njëjtën formë trajtimi do ta përdorë në spitalet e saj edhe Gjermania. Këtë lajm e njoftoi vetë ministri për Shëndetësinë, Jens Spahn, sipas të cilit vendi ka gati 200 mijë doza të tilla të cilat janë shpërndarë në rrjetin e spitaleve në mbarë vendin. Kjo e bën Gjermaninë të jetë vendi i parë në BE që aplikon një trajtim të tillë që mbetet eksperimental. Ministri nuk përmendi një prodhues që do të jepte ilaçet, por ai konfirmoi se ishte i njëjti që mori ish-presidenti Trump kur u sëmur, më 19 tetor të vitit të kaluar.

Rikthehen sot bisedimet mes Turqisë dhe Greqisë

Sikurse u caktua në fillim të muajit, zhvillohet sot takimi në nivel teknik i negociatorëve për çështjen e detit mes Turqisë dhe Greqisë, pas këmbënguljes edhe të ndërkombëtareve dhe kërcënimit me sanksione ndaj palës turke nga ana e BE. Diskutimet kanë për të qenë të vështira, por nga palët të paktën ekziston vullneti i mirë për zgjidhjen e çështjes që shpeshherë është kthyer në mollë sherri mes vendeve. Bisedimet mund të hapin rrugën për një vizitë të afërt në Turqi nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të ftohin retorikën rreth mosmarrëveshjeve më të gjera të Ankarasë me BE-në. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, shprehu optimizëm të përmbajtur, duke thënë se shikon një "dritare mundësie", por shtoi se Ankaraja ka nevojë të "braktisë linjën e konfrontimit" dhe të kërkojë dialog.

Biden telefonon Macron, i premton forcimin e marrëdhënieve

Në vazhdën e telefonatave të urimit presidenti amerikan, Joe Biden, diskutoi mbrëmë me presidentin francez, Emmanuel Macron, të cilit i shprehu dëshirën për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe me aleatin më të afërt të Amerikës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Biden nënvizoi gatishmërinë e tij për përforcimin e angazhimeve transatlantike. Përpos telefonatave dhe akteve zyrtare, Joe Biden, presidenti i dytë i besimit katolik, mori pjesë në meshën e së dielës. Për këtë zgjodhi të njëjtën Kishë që frekuentonte ish-presidenti, John Kenedy, në George Town.

Sot, dorëzohen akuzat për “impeachment” e Trump

Lideri i shumicës në senatin amerikan, Chuck Schumer njoftoi se sot dorëzohen artikujt e akuzës ndaj ish-presidentit, Donald Trump, për të vijuar me gjyqin ndaj tij me 8 shkurt. Senati do të organizojë një gjyq të drejtë, por që në vetvete mbetet gjyq, tha ai për gazetarët. Sipas Nancy Pelosit, akuza do të dorëzohet në Senat rreth orës 7 të pasdites me orën lokale. Në një reagim të tijin, lideri i pakicës republikane në Senat Mitch McConell shprehu vlerësimin për Schumer që miratoi kërkesën e republikanëve për t’i dhënë më shumë kohë palës mbrojtëse në lidhje me akuzat.

A2 CNN Livestream

Dita jonë