Zgjedhjet, kushti i pashkruar. Negociatat e anëtarësimit, Mazi: Tryeza e parë, në qershor

Qershori shihet si afati më optimal për të zhvilluar mbledhjen e parë ndërqeveritare të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ndonëse eurokomisioneri Varhelyi e bëri të qartë që në dhjetor se Tirana i ka kryer detyrat me kthimin në funksion të Gjykatës Kushtetuese. Edhe Kryenegociatori Zef Mazi pohoi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli Europian gjatë vitit të shkuar, por shtyrja deri në qershor duket e lidhur me një kusht të ri të pashkruar: zgjedhjet e 2025 prillit.

“Synimi është të mbahet kjo konferencë në qershor të vitit 2021. Edhe presidenca portugeze, kemi njoftim se e ka në prioritetet e saj mbajtjen e kësaj konfernece brenda këtij semestri, që ajo është presidente e Këshillit Europian. Kjo kohë kërkon angazhim dhe impenjim të plotë nga të gjithë”, tha Mazi.

Nëse kryenegociatori evitoi të përmendë hapur procesin zgjedhor, më direkte ishte n/kryetarja e Këshillit të Integrimit, Rudina Hajdarin. Duke marrë shkas nga përgjimet e antimafias italiane, ajo akuzoi për mbështetjen që pushteti i jep krimit, gjë që, sipas saj, mund të reflektohet edhe në procesin elektoral: “Në zgjedhjet e 25 prillit, kam frikën se nëse nuk ka rezultate, nëse nuk ka ndëshkime, nëse nuk ka procese hetimore të drejta, me një vullnet të pavarur të drejtësisë për t’i çuar përpara këta individë, kam frikë se krimi i organizuar do të vazhdojë të kapë procesin e zgjedhjeve”.

Përfaqësuesi i mazhorancës në mbledhjen e këshillit, Taulant Balla, nuk iu përgjigj akuzave të Hajdarit, por u shpreh se puna e Këshillit Kombëtar të Integrimit nuk duhet të afektohet nga fushata zgjedhore.