Kritikat kundër AstraZeneca, shefi i kompanisë: BE u vonua në firmosjen e kontratave

Mes tensioneve me shtetet anëtare për vonesat në shpërndarjen e vaksinës, shefi i Astrazeneca-s thotë se ekipi i tij po punonte 24 orë në ditë për të zgjidhur problemet e shumta të prodhimit.

Në një intervistë për italianen “LaRepublika”, Pascal Soriot, tha se ishin dy muaj prapa me prodhimin, por sipas tij, vendimi i vonuar i Bashkimit Europian për të nënshkruar kontratat për vaksinat, i kishte dhënë pak kohë për të zgjidhur ngërçet me furnizimin.

Ndërsa Britania e Madhe, thotë Soriot, kishte nënshkruar kontratën tre muaj para BE, çka i kishte dhënë më shumë kohë për tejkalimin e problematikave. Soriot pohon se problemet me prodhimin po verifikoheshin në dy impiante, në Holandë dhe Belgjikë.

“Është e ndërlikuar, veçanërisht në fazën e parë kur duhet të zgjidhësh një shumëllojshmëri problemesh. Ne besojmë se i kemi zgjidhur, por praktikisht jemi dy muaj prapa, në krahasim me aty ku donim të ishim. Po përballemi me problematika të ngjashme edhe në zinxhirin britanik të furnizimit. Por, kontrata me Britaninë e Madhe u firmos 3 muaj më herët, kështu patët më shumë kohë në dispozicion”, tha Pascal Soriot.

Megjithatë, shefi i AstraZenecas shtoi se sasia që do të dërgojnë për Europën, në muajin shkurt, nuk është e vogël. Ai tha gjithashtu se po punojnë mbi një vaksinë që do të ishte më e efektshme ndaj variantit afrikano-jugor. Vaksina e Astrazenecas po përdoret nga Britania e Madhe, por BE pritet t’i japë dritën jeshile në fund të muajit. Blloku ka nënshkruar një ujdi në muajin gusht për sigurimin e 300 milionë dozave me mundësinë e blerjes së 100 milionë të tjerave. Sipas kontratës, 80 milionë doza duhet të mbërrinin deri në muajin mars.