Përjashtimi nga lista, Vetëvendosje dhe AAK i drejtohen Gjykatës së Lartë

Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të dorëzojnë ankesë në Gjykatën e Lartë, ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa për moscertifikimin e disa kandidatëve për deputetë që kanë pasur probleme me ligjin, përfshirë Albin Kurtin.

Përpos 5 kandidatëve nga Lëvizja Vetëvendosje, PZAP lë jashtë listës edhe 4 kandidatë të AAK, ndërsa sa i përket Nismës Socialdemokrate, u vendos certifikimi i partisë politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, por jo i 12 kandidatëve për deputetë.

Në një reagim pas publikimit të vendimit, Lëvizja Vetëvendosje tha se Paneli për Ankesa kishte vepruar në një linjë me tre anëtarët e KQZ-së, Valdete Dakën, dhe përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së, duke sajuar argumente të paqena juridike dhe kushtetuese, ndërsa theksoi se kjo padrejtësi nuk do të pengonte kandidimin e Kurtit dhe të tjerëve.

“Këto vendime, pra, ai i disa anëtarëve të KQZ dhe ky i PZAP-së, janë shpërfaqje e një konjukture që i rri mbi krye institucioneve duke ua zënë frymën demokratike. Por jo edhe për shumë gjatë. Kandidimi i Albin Kurtit dhe i kandidatëve të tjerë nuk do të mund të ndalet, sepse kështu e thotë e drejta, dhe lista e Vetëvendosjes do të paraqitet e plotë e fitimtare në zgjedhjet e 14 shkurtit, sepse kështu po e kërkon populli”, deklaroi Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërkaq, lideri i AAK, Ramush Haradinaj tha se vendimi i PZAP-së, shkelte në mënyrë flagrante të drejtën themelore për kandidim, duke njoftuar vendimin për t’iu drejtuar Gjykatës së Lartë.

Sipas ligjit, të gjitha palët, që nuk janë të kënaqura me vendimet e PZAP-së mund t’i drejtohen Gjykatës së Lartë brenda 24 orëve.Vendimi i panelit për ankesa, vjen pas ankimimit të tri subjekteve politike, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi të certifikonte listat me kandidatët në 22 janar. Në një prononcim ditën e martë, KQZ tha se do të respektojë të gjitha vendimet e marra nga PZAP-ja.