Telefonata e parë, Biden përballet me Putin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zhvilluar bisedën e tij të parë telefonike me homologun rus, Vladimir Putin.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Biden ka diskutuar me presidentin rus mbi një varg çështjesh nga një sulm masiv kibernetik i kohëve të fundit deri te rajoni i Krimesë dhe helmimi i dyshuar e burgosja e figurës kryesore të opozitës së vendit, Alexey Navalny.

“Synimi i tij ishte gjithashtu të bënte të qartë se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë në mënyrë të vendosur në mbrojtje të interesave tona kombëtare në përgjigje të veprimeve nga Rusia”, thanë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

Lista e gjatë e temave në bisedën e parë të Biden me Putin ilustron gjendjen e trazuar të marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Moskës. Biden ka akuzuar paraardhësin e tij, presidentin Donald Trump, se ishte shumë i dobët ndaj Rusisë, duke e akuzuar atë si “qenushin e Putinit” gjatë një prej debateve të tyre të përgjithshme zgjedhore.

Zyrtarët pranë tij kanë pohuar se Biden shpreson të marrë një linjë më të fortë me Putin. Ai ka urdhëruar një rishikim të çështjeve që lidhen me Rusinë dhe mund të vendosë sanksione të reja mbi vendin. Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë, ka bërë një përpjekje fillestare për diplomaci në traktatin bërthamor, duke sugjeruar se është i hapur për të nxitur një marrëdhënie pune me Putin.

Biden ka folur gjithashtu me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke përfshirë edhe çështje që lidhen me Rusinë. Nga ana e tij, Putin ishte një nga udhëheqësit e fundit botërorë që uroi Biden për fitoren e presidencës, duke pritur derisa të ishte e qartë se Trump kishte humbur garën.