Efektet e pandemisë, bashkitë në vështirësi, më pak të ardhura e shpenzime

Tërmeti i 26 nëntorit dhe më pas pandemia e Covid-19 i ka vendosur në vështirësi të forta financiare, bashkitë. Sipas raportit të Financave Vendore për 9-mujorin e 2020-s, publikuar nga Coplan dhe Ministria e Financave, përpjekjeve për t’iu përgjigjur nevojave të menjëhershme dhe të paparashikuara, gërshetuar me vështirësitë për ofrimin e shërbimeve, ka shtuar presionin mbi financat e bashkive.

Ky presion kushtëzoi ndjeshëm ecurinë e të ardhurave dhe të shpenzimeve në nivel vendor. Kështu, të ardhurat nga burimet e veta vendore shënuan rënie me rreth 12% kundrejt një viti më parë. 

Rënia më e fortë konstatohet tek të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë që ka edhe ndikimin kryesor në buxhetin e bashkive dhe që paguhet nga ndërtuesit për lejet e ndërtimit që ata marrin. Në 9-mujorin e 2020-s, të ardhurat nga kjo taksë arritën në rreth 6 miliardë lekë, në rënie vjetore 15%.

Përjashtuar peshën që ka Bashkia e Tiranës, 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 1.2 miliardë lekë nga kjo taksë, në rënie me rreth -38.6% në terma vjetorë. 

Përsa i përket shpenzimeve, ato gjithashtu kanë qenë në rënie. Shpenzimet me fondet e veta të bashkive regjistruan një nivel prej rreth 41 miliardë lekë në fund të 9-mujorit, duke shënuar një rënie prej rreth 2.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Shpenzimet kapitale ose ndryshe investimet përbëjnë vetëm 19.4% të totalit të shpenzimeve dhe ato kanë pësuar tkurrje të fortë. Sipas përllogaritjeve, mesatarisht, për çdo 100 lekë të shpenzuara nga bashkitë, 82.5 lekë shkuan për mbulimin e shpenzimeve korrente dhe rreth 17.5 lekë për investime.

Analiza e të dhënave tregon se diferencat dhe pabarazitë në kapacitetin financiar të bashkive vijojnë të jenë të qenësishme, duke kushtëzuar ofrimin e shërbimeve publike vendore dhe përballimin e pasojave të fatkeqësive natyrore, si tërmetet dhe pandemia.