Mësimi online, studentët e arkitekturës i tremben tregut të punës

Dario Mankollari është student i vitit të tretë në degën e arkitekturës. Prej muajit mars, ai po e merr mësimin online, proces për të cilin ka shumë pakënaqësi. Dario thotë se moshapja e universiteteve po e mban larg lëndëve praktike, duke i rrezikuar përvetësimin e profesionit që ka zgjedhur. Dijet e munguara është detyruar t’i marrë në forma të tjera.

“Jemi munduar që me anë të skicave që i paraqesim në letër, i fotografojmë dhe më pas i shpërndajmë në platformat e komunikimit me pedagogët duke marrë sugjerime dhe kritika. Kam filluar në një kompani dhe më shumë njohuri po marr aty sesa nga mësimi online”, thotë ai.

Pasiguritë e tregut të punës i ndjen që tani. Tërmeti i 26 nëntorit 2019, ishte një provë e fortë për të se përse duhet që projektuesit e rinj të punojnë shumë në anën praktike.

“Ne jemi të trembur për tregun që na pret. Do jemi disa arkitektë që nuk do kemi marrë dijet apo aftësitë e plota dhe nuk mund ta përballojmë këtë treg. Dimë se arkitektura ka përgjegjësi direkte për jetën e njeriut dhe ky hendek që po krijohet nga mësimi online mund të na lërë mbrapa.” 

Studentët kanë kërkuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve rikthimin në auditore për zhvillimin e seminareve si dhe për kryerjen e provimeve të sezonit. Kërkesë kjo që ende nuk ka marr një përgjigje.