Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
1 Shkurt 2021, 07:53 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Vota e emigrantëve, sot në Kuvend interpelanca me ministrin Majko

Nis me seancë plenare, Kuvendi këtë muaj shkurt, ku në rend të ditës janë listuar një sërë çështjesh për t’u diskutuar dhe votuar.

Një ndër pikat kryesore ka të bëjë me emrin e Lorenc Bakos, propozuar nga Këshilli i Ministrave për anëtar të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Tjetër çështje mbetet shmangia e evazionit fiskal me miratimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Kosovë e Luksemburgut në lidhje me tatimin e dyfishtë të të ardhurave dhe tatimeve.

Nuk mungon dhe diskutimi i lirë apo interpelanca me ministrin e Diasporës, Pandeli Majko në lidhje me votën e emigrantëve në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Pritet të mbërrijnë sot në vendin tonë dozat e vaksinës Pfizer

Një pjesë e vaksinave të blera prej kompanisë Pfizer nga qeveria do të vijnë sot në Shqipëri. Njoftimin e bëri dy ditë me parë kryeministri Rama gjatë një takimi në Korçë, sipas të cilit deri në një njoftim të dytë dakordësia është që vendi ynë do të marrë një pjesë nga 500 mijë dozat e porositura me shpresën që në një të ardhme të afërt edhe ngërçi me furnizimin do të zgjidhet për sa kohë që ky mbetet një shqetësim ndërkombëtar.

"Jam shumë optimist që nga pikëpamja e kapaciteteve si doza nuk do të ketë mungesa tha kryeministri, duke njoftuar gjithashtu se është pranë finalizimit edhe të një marrëveshjeje me Astra Zeneca.

Njohja e Kosovës nga Izraeli, sot ceremonia solemne

Agjenda e nisur në Washington në praninë e ish-presidentit, Donald Trump, për njohjen reciproke të Kosovës shtet nga Izraeli dhe hapja e përfaqësisë në Jeruzalem nis sot në orën 15:00, me një ceremoni solemne që shënon edhe nisjen e marrëdhënieve diplomatike mes te dyja vendeve. Gjithçka nis me konferencën virtuale mes delegacioneve përkatëse dhe vijon me firmosjen e marrëveshjes. Kosovën e përfaqëson ministrja e Jashtme, Melisa Haradinaj, dhe mbyllet me një deklaratë nga ana e të dyja palëve.

AstraZeneca do të dorëzojë 9 milionë doza shtesë në tremujorin e parë

"AstraZeneca do të dorëzojë 9 milionë doza shtesë në tremujorin e parë me një shumë totale prej 40 milionë dozash sipas dakordësisë së arritur gjatë javës së fundit mes kompanisë dhe BE-së dhe do të nisë shpërndarjen një javë më shpejt se ujdia e arritur.

Ky është konfirmimi më i fundit që pritet të ulë gjakrat mes prodhuesve të vaksinës dhe vendeve të grupit që vjen nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila nënvizon se kompania ka rënë dakord të fokusohet më shumë te sasia e dozave të parashikuara për Evropën.

Arrestohet Aung San Suu KYI, ushtria merr kontrollin

Në Birmani, ushtria ka arrestuar kryeministren e vendit me akuzën se partia e saj ka fituar zgjedhjet e nëntorit me një rezultat shokues nëpërmjet manovrave zgjedhore. Aung San Suu Kyi e cilësoi lëvizjen një grusht shteti dhe fajësoi në lidhje me këtë çështje shefin e forcave të armatosura të vendit. Me arrestimin e saj u shpall gjendja e emergjencës për 1 vit. Si ajo ashtu edhe deputetë të partisë së saj e qeveritare u arrestuan me akuzën se duke përfituar nga pandemia kanë manipuluar procesin e votimeve, ku ndër ata që kanë hedhur votën, listohen edhe minorenë. Sikurse bën me dije televizioni publik të gjitha atributet e qeverisjes i merr përsipër gjenerali i Forcave te Armatosura. Partia e Aung San Suu Kyi, e vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1991 është kritikuar ndërkombëtarisht për faktin se gjatë qeverisjes nuk ka menaxhuar si duhet krizën me sektin mysliman Rohinga.

Trump grumbullon miliona donacione ndërsa përballet me një gjyq të dytë për fajësimin

Donald Trump dhe partia republikane kanë qenë mjaft të suksesshëm edhe pas zgjedhjeve të 3 nëntorit. Sipas raportimeve me të fundit nga Nju-Jork Times, si Trump, ashtu edhe partia e tij e kanë verifikuar mbështetjen në popull me mbledhjen e një shume rekord të donacioneve.

255,4 milionë dollarë janë hedhur në emër të Trump gjatë kohës që akuzonte për mashtrime në sistemin zgjedhor të vendit. Por, sipas të njëjtave burime të gazetës amerikane, donacionet e kanë ulur vrullin e tyre që nga 14 dhjetori, momenti kur figura e Biden gjeti mbështetje ndër emra të mëdhenj të senatit dhe administratës së Trump

Mbi 5 mijë të arrestuar në protestat për lirimin e Navalnit

Mbi 5000 persona u arrestuan në Rusi gjatë protestave masive në mbrojtje të opozitës vendase që kërkojnë lirimin e Aleksei Navalnit. Marshimet e organizuara jo vetëm në Moskë, por edhe në qytete të tjera u ndërprenë me ndërhyrjen e forcave të rendit.

Autoritetet thanë se protestat janë të jashtëligjshme meqenëse nuk u autorizuan, duke paralajmëruar ndalimin e tyre dhe duke arsyetuar vendimin edhe me rrezikun e shpërndarjes së koronavirusit.

Ndeshja Partizani-Vllaznia u mbyll në barazim pa gola

Sfida kryesore e javës së 17-të në Kategorinë Superiore, ajo mes Partizanit dhe Vllaznisë, është mbyllur në barazim pa gola.

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena”, i cili edhe pse ka një terren mjaft të mirë, nuk ka mundur t’i rezistojë rrebeshit të shiut të rënë gjatë orëve të fundit.

Edhe pse rastet nuk munguan, asnjë nga dy ekipet nuk arriti të shënojë, duke ndarë pikët. Ndërkohë, dy ekipet e mbyllën ndeshjen me nga një lojtar më pak, pasi Krymi nga Vllaznia dhe Bitri nga Partizani u ndëshkuan me kartonin e kuq.

Pas këtij takimi, Vllaznia vazhdon të udhëheqë renditje me 37 pikë, 9 më shumë se Partizani i vendit të dytë.

Barça merr fitoren e pestë radhazi, kalon Realin në renditje

Edhe pse me një rezultat të ngushtë 2-1, Barcelona triumfoi ndaj Bilbao-s duke vijuar ecurinë pozitive në La Liga, ku mori fitoren e pestë radhazi.

Lionel Messi, i cili duket se po u rikthehet ditëve të tij më të mira, realizoi golin e parë në këtë ndeshje, në minutën e 20.

Bilbao nuk u dorëzua dhe me nisjen e pjesës së dytë arriti të barazojë rezultatin me një autogol nga Jordi Alba. Ndërkohë, Griezmann, pas një asisti nga Mingueza, shënoi golin e fitores për Barcelonën, e cila ngjitet tashmë në vendin e dytë në renditje, me pikë të barabarta me Realin e Madridit.

Megjithatë, objektivi titull duket shumë larg, pasi Atletico Madrid, që mban vendin e parë, ka 10 pikë më shumë, si dhe një ndeshje më pak.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu