Dialogu Kosovë-Serbi, Macron dhe Vuçiç flasin për zgjidhje inovative

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, priti në Paris homologun serb, Aleksandar Vuçiç. Me tone tepër miqësore, ata diskutuan për pandeminë, integrimin në Bashkimin Europian si dhe për dialogun Prishtinë-Beograd. Shefi i pallatit Elize tha se këto janë negociata të rëndësishme që po kryhen nën kujdesin e Brukselit dhe theksoi mbështetje për të dërguarin e posaçëm, Miroslav Lajçak.

Macron saktësoi se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës në detyrë, Avdullah Hoti, në nëntor, si dhe u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë edhe me kryeministrin e ardhshëm pas zgjedhjeve. Të dy presidentët folën për zgjidhje përfundimtare inovative për dialogun, por pa e treguar se çfarë ishte.

“Ne patëm bisedime të plota besimi me Presidentin Vuçiç për këtë temë dhe unë dua të mirëpres rreziqet që ai ka ndërmarrë disa herë duke propozuar disa zgjidhje që janë inovative. Unë jam i gatshëm t’i mbështes ato”, tha Macron.

“Nuk është një çështje e lehtë për ne. Mendoj se ne të gjithë duhet të bëjmë gjithçka mundemi për arritjen e një zgjidhjeje kompromisi për të dyja palët, dhe deri më tani, nuk ka qenë e mundur. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëgjoj idetë inovative të presidentit Macron dhe të shoh çfarë ne mund të bëjmë që t’i afrohemi një marrëveshje të mundshme”, tha Vuçiç.

Më tej, presidenti francez ofroi mbështetje për të gjithë ata që dëshirojnë të përmirësojnë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Macron më pas u fokusua në luftën ndaj pandemisë koronavirus, ndërsa kërkoi nga Europa që të veprojë më shpejt dhe të ketë më tepër efektshmëri në shpërndarjen e vaksinave për popullatën. “Jemi në garë me kohën për të mposhtur virusin”, nënvizoi ai duke thënë se ky qëndrim mbështetet edhe nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.