Laboratori i heroinës në Has, Gjykata e Posaçme jep 127 vite burg për të akuzuarit

Gjykata e Posaçme shpalli vendimin përfundimtar për 17 të akuzuarit e një prej fraksioneve kryesore të dosjes së famshme 339.

Bëhet fjalë për anëtarë të Avdylajve të Shijakut si edhe të akuzuarit për përfshirje në laboratorin e heroinës në Brenog të Hasit.

Përmes një vendimi të shpallur përtej orarit zyrtar dhe ku nuk u lejuan kamerat televizive, Gjykata shpalli të fajshëm të gjithë të pandehurit duke dhënë për ta 127 vite burg në total. Ata u fajësuan për disa vepra penale, mes të cilave “grup të strukturuar kriminal, “trafik të narkotikëve”, “prodhim e shitje të narkotikëve”, si edhe “pastrim parash”.

Dënimi më i rëndë, me 12 vite burg, ishte për Admir Hoxhën, i akuzuar si ideatori i laboratorit të përpunimit të heroinës në Has. Në të njëjtin vendim gjykata kaloi në llogari të shtetit duke konfiskuar hotelin “Ador” në pronësi të Admir Hoxhës pranë aeroportit të Rinasit, si edhe 6 automjete. 

Laboratori ishte ngritur në një zonë periferike, në fshatin Brenog brenda dy kapanoneve që më parë, përdoreshin si stallë për bagëtitë.  

Vendimet e Gjykatës:

Gjevi Ndoka dënohet me  8 vjet 8 muaj

Altin Avdyli  6 vjet 8 muaj

Esat Mehmeti  10 vjet

Petrit Suljemani  8 vjet 8 muaj

Sajmir Sulejmani  8 vjet

Hajri Seferi  10 vjet 8 muaj

Orges Jahoelezi 6 vjet 8 muaj

Shkëlqim Avdyli  4 vjet 8 muaj

Mario Zeqiri  4 vjet 8 muaj

Elton Shehaj  4 vjet 8 muaj

Ardit Gjyriqi  4 vjet 8 muaj

Admir Hoxha  12 vjet

Hekuran Hoxha  10 vjet 8 muaj

Vehbi Berushi 8 vjet

Anila Shuti 2 vjet – 25 muaj shërbim prove

Xhavit Shyti   8 vjet

Flamur Çela 8 vjet