Pandemia koronavirus, Manastirliu: Situata e qëndrueshme, janë vaksinuar 650 mjekë e infermierë

1 SHKURT RAMA frame 109473 1100x620

Pas fjalës së kryeministrit për mbërritjen e 1170 dozave të vaksinës antiCovid nga kompania Pfizer, ministrja e Shëndetësisë bëri një përmbledhje të situatës së koronavirusit në vend.

Ministrja Manastirliu u shpreh se pavarësisht numrit të lartë të infektimeve, situata në vend është e qëndrueshme dhe nën kontroll. Ajo tregoi se deri në këto momente janë vaksinuar 650 mjekë dhe infermierë, ndërkohë që me dozat e sapo mbërritura do të zgjerohet harta punonjësve spitalorë të vaksinuar.

“Kemi një rritje të infektimeve e cila pavarësisht rritjes së incidencës kemi një situatë të kontrolluar. Numri i të shtruarve në spitale është i qëndrueshme. Lufta nuk ka përfunduar. Po vijojmë punën për fuqizimin e kapaciteteve. Nuk jemi në një moment për të vendosur masa të reja kufizuese.

Zbatimi i masave që kemi është me shumë rëndësi në këto momente. Qytetarët duhet të zbatojnë protokollet. Mbërritja e vaksinave është një ditë shumë e rëndësishme.

Tashmë kemi të siguruar dozën e dytë për ekipet tona të spitaleve Covid. Kemi vaksinuar 650 mjekë dhe infermierë. Nga nesër nis doza e dytë dhe zgjerohet vaksinimi me mjekë dhe infermierë të tjerë. Kemi rritur pikat e testimit në mbarë vendin. Në Tiranë janë 10 pika testimi. Testimi i shpejtë ka realizuar një lehtësim për qytetarët”, u shpreh Manastirliu.