Plani 14-mujor i vaksinimit, Tritan Shehu: Katastrofë, kjo është të jesh në ritmet e Afrikës

1 SHKURT ABSOLUT CLNE frame 58756 1100x620

Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu kritikoi në “Absolut 4” dhe programin e prezantuar nga qeveria për të vaksinuar popullsinë brenda një afati 14 mujor.

Sipas Shehut, ambiciet e qeverisë për afatin 14 mujor janë për të vaksinuar vetëm grupet e riskut dhe jo për vaksinim të gjerë të popullsisë.

Ish-deputeti demokrat u shpreh se nivele kaq të ngadalta vaksinimi nënkuptojnë të jesh në ritmin e vendeve të prapambetura, ndërkohë që shumë vende të BE duan ta mbyllin këtë proces brenda vjeshtës

“Serbia ka nisur prej dy javësh jo më vaksinimin e grupeve të riskut, por vaksinimin e gjerë të popullsisë. Serbia nuk është anëtar i BE, është një vend i rajonit tonë, i ngjashëm me ne në shumë tipare dhe kjo ndodhi sepse ndodhi ajo që ne i kërkuam kryeministrit Rama që në shtator: Mos u koncentro vetëm te Covax. Covax është një mekanizëm i ngadaltë, që furnizon vetëm 20% të popullsisë. Duhet të kontraktonim direkt me prodhuesit, por tashmë është vonë.

Sipas parashikimeve, deri në fund të marsit Shqipëria mund të marrë vetëm 40 mijë doza dhe më pas për të vijuar në muajin tetor. Shqipërisë i duhen 5.5 milionë doza për më shumë se 2 milionë njerëz. Nuk realizon as kërkesën e Bashkimit Europian që ka.

Ambasadori Soreca kërkoi një program vaksinimi që të në mbështeste. Kryeministri me programin 14 mujor e kishte fjalën vetëm për grupet e riskut, jo për vaksinimin e gjerë të popullsisë. Kjo është katastrofë. Kjo është të jesh në ritmet e vendeve afrikane. Në ritmet e vendeve të prapambetura. BE synon të mbyllë vaksinimin masiv brenda muajit tetor. Serbia synon të mbyllë vaksinimin përpara verës”, u shpreh Shehu.