Rritet çmimi i argjendit, “ushtria e Reddit” shkund sërish tregjet e bursave

reddit 1100x620

Ushtria e Reddit ndikon sërish tregjet ndërkombëtare. Çmimet e argjendit arritën nivelin më të lartë në 5 muaj të hënën, mes thirrjeve në rrjetin social për ta blerë mineralin në fjalë dhe imituar valën e kaluar që ngriti vlerën e aksioneve në bursa të kompanisë amerikane të videolojërave “Game Stop”.

Edhe këtë herë “rrengu” i Reddit funksionoi. Aksionet e disa minierave të vogla australiane u rritën ndërsa tregtarët pa shumë eksperiencë në bursa i blenë ato në masë. Probleme pati edhe për uebsajtet që shesin monedha argjendi që raportuan një kërkesë rekord për blerje duke bërë që të ketë vonesa të konsiderueshme në dërgimin e porosive.

Argjendi u rrit me mbi 10% në rreth 30 dollarë për ons, vlera më e lartë që prej mesit të gushtit. Ky zhvillim është shembulli më i fundit i tregtarëve me kohë të vogël që blejnë aksione dhe asete të tjera, për të cilat fondet e mëdha të “Wall Street” vendosin baste kundër, duke sjellë humbje të mëdha për investitorët kryesorë.

Disa përdorues në forumin “Wall Street Bets” në Reddit pretendojnë se tregu i argjendit është shumë i manipuluar dhe se rritja eçmimit për mineralin mund të dëmtojë kompanitë e mëdha.

“Mendoni për Gainz. Nëse nuk iu intereson fitimi, mendoni për banka si JP Morgan që ju mund t’i shkatërroni”, shkruan një përdorues në një mesazh, i cili qarkulloi gjerësisht në rrjetin social duke u bërë viral.

Rritja e çmimit të aksioneve të “GameStop”, gjë e cila u nxit nga investitorët amatorë, është parë gjithashtu si një revoltë ndaj investitorëve të mëdhenj. Ndryshe nga episodi i mëparshëm, që shkaktoi humbje të menjëhershme, për argjendin është ndryshe pasi në bursa ka pasur një trend në rritje gjatë vitit të kaluar.