Shehu: Vaksinat e para nuk erdhën në mënyrë legale nga një vend i BE. Në Gjermani ka nisur hetimi

Tritan Shehu, ish-ministër i Shëndetësisë,  u shpreh në Absolut 4 se dozat e para të vaksinave ndaj koronavirusit nuk kanë ardhur në mënyrë legale nga një vend i BE.

Ai theksoi se Gjermania e mohoi një gjë të tillë dhe se në këtë shtet tashmë ka nisur një hetim për këtë çështje.

“Ky vend tenton të sjellë vaksina kontrabandë, siç ndodhi me 970 vaksinat e para, të cilat nuk kanë asnjë dokument, asnjë certifikatë. Unë e di nga erdhën ato vaksina dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë, por do ta them në momentin e duhur. Nga njëra anë erdhi një pjesë e materialeve dhe nga ana tjetër erdhën vaksinat. Ato u futën në Rinas nga salla e pasagjerëve dorazi dhe në dokumentin e doganës shënohet, “ardhje dorazi”. Si mund të ketë medikament që shënohet “ardhje dorazi”.  Certifikata e origjinës së mallit është e detyrueshme, me gjithë kushtet e transportit, si dhe të ruajtjes.

Gjermania e mohoi. Unë po ju them se në Gjermani është hapur një hetim për këtë çështje. Nuk ka ndodhur kështu. Nuk është vend i BE. Vaksinat nuk kanë ardhur në mënyrë legale nga një vend i BE”, tha Shehu në Absolut 4”, u shpreh Shehu.