“Vetting-u” për kandidatët, Bardhi: Rama turpëroi Shqipërinë, dëmtoi statusin ndërkombëtar

bardhi 1100x620

“Partitë nuk janë drejtori policie për të verifikuar, nëse dikush merr përsipër të shkojë para drejtësisë duke bërë deklarime të rreme është krejtësisht individuale. Nuk kemi mundësi të ngremë salla torturash në selitë e partive për të nxjerrë deri në fund nëse dikush fsheh diçka që nuk figuron në letrat që janë në dispozicion”.

Kështu e komentoi Edi Rama thirrjen e ambasadores amerikane, Yuri Kim, për të kaluar në vetting kandidatët për deputetë. Ndërkohë, nuk ka vonuar edhe reagimi nga Partia Demokratike. Gazment Bardhi, në një status në Facebook, shkruan se përgjigjja e Ramës ndaj kërkesës së SHBA-së, që partia e tij të mos përfshijë kriminelë në lista, është e turpshme dhe e dëmshme.

“Përgjigjja e Ramës ndaj kërkesës së SHBA-së që partia e tij të mos përfshijë kriminelë në lista është e turpshme dhe e dëmshme. Edhe një herë, Rama e turpëroi Shqipërinë dhe dëmtoi statusin e saj ndërkombëtar.

Pas 8 vitesh në të cilat Rama shkatërroi ekonominë dhe vendin tonë, tani ai po shkatërron edhe marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Për të sjellë ndryshimin dhe një të ardhme më të mirë në Shqipëri, ne duhet të largojmë Ramën dhe kjo është pikërisht ajo që populli shqiptar do të bëjë në 25 prill”, shkruan Bardhi.