Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB KOMISIONET frame 293 1100x620

Kthimi i ligjit për taksat kombëtare diskutohet sot në komisionin e Ekonomisë

Disa komisione zhvillohen online sot nga Kuvendi i Shqipërisë, por në orën 11:00 në atë për ekonominë diskutohet dekreti i presidentit të Republikës, Ilir Meta, për kthimin e ligjit për taksat kombëtare. Ligji u propozua nga qeveria dhe u votua në Kuvend, por Meta arsyetoi në kthimin e tij se ky ligj cenon parimin e sigurisë juridike, barazisë para ligjit dhe autonominë e pushtetit vendor dhe i sjell buxhetit një dëm ekonomik prej 500 milionë lekësh. Ligji parashikon përjashtim nga taksa të rentës minerare për mineralet metalore.

Nis sot votimi me postë nga Diaspora për zgjedhjet e 14 shkurtit

Në Kosovë, fillon sot procesi i votimit me postë për të gjithë shtetasit që banojnë jashtë vendit. Njoftimin e bëri zëdhënesi i KQZ-së, Valmir Elezi, sipas të cilit, këtij procesi do të mund t’i bashkohen të gjithë ata që deri më dje aplikuan për të votuar. Sipas Elezit, këtë të drejtë e fitojnë mbi 175 mijë persona. Procesi përfundon më 12 shkurt, dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme.

Vuçiç reagon pas marrëveshjes Kosovë-Izrael

Kosova dhe Izraeli firmosen dje marrëveshjen e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, por kjo gjë nuk i ka pëlqyer aspak Serbisë. Një hap i tillë nuk do të ketë ndikim pozitiv në marrëdhëniet e Beogradit zyrtar me Izraelin tha Vuçiç. “Për këtë arsye, në Uashington nuk deshëm të nënshkruanim një dokument bashkëpunimi me shqiptarët tha ai. Nuk kemi dashur të inkurajojmë Izraelin që ta bëjë diçka të tillë, por qeveria e tij vendosi që Amerika është më e rëndësishme. Firmosjen e marrëveshjes e përshëndeti nismëtari i saj, Richard Grenell; “Kjo është një ditë e mrekullueshme”, ishte reagimi i tij në Twitter.

Trump përgjigjet sot zyrtarisht në Senat për trazirat në Kapitol

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, kthen sot në Senat përgjigjen zyrtare për gjyqin ndaj tij që mori shkas nga trazirat në Kapito, për të cilin, demokratët akuzojnë pikërisht liderin republikan. Meqë në fundjavë Trump shkarkoi trupën e tij të palës mbrojtëse, do të jenë avokatët David Schoen dhe Bruce Castor që do të jenë të pranishëm sot në Senat. Edhe nëse shpallet fajtor mbi Trump nuk do të ketë ndonjë pasojë ligjore, por një vendim i tillë do të nënkuptonte që ish- presidenti nuk ka më të drejtë të rikandidojë për Shtëpinë e Bardhë. Për ta arritur këtë edhe demokratët do kenë një rrugë të vështirë, pasi duket të kenë mbështetjen e të paktën 17 republikanëve teksa do votohet. Procesi ndaj Trump nis më 9 shkurt.

Papa: Gratë që janë pre e dhunës duhet të mbrohen nga shoqëria

Vatikani ia dedikon dhunës ndaj grave lutjet e muajit shkurt. Gratë që janë pre e dhunës duhet të mbrohen nga shoqëria dhe vuajtjet e tyre duhet të merren në konsideratë. Ishte ky apeli i papa Françeskut në lidhje me këtë temë. Është për të ardhur keq që ende sot e kësaj dite, shumë gra vazhdojnë të dhunohen psikologjikisht, verbalisht, fizikisht dhe seksualisht tha Ati i Shenjtë. Më shqetëson pa masë numri në rritje i femrës që preket, fyhet dhe keqtrajtohet. Këto sjellje janë një poshtërsi e madhe që i bëhet njerëzimit, përfundoi ai.

Gjermania në izolim të rreptë për shkak të Covid

Gjermania ndodhen në një izolim të rreptë përsa i takon pandemisë me moslejimin e qarkullimit dhe mbylljen e shumë bizneseve dhe shërbimeve. Këtë hap kancelarja e justifikoi me mundësinë më të mirë të frenimit të përhapjes së virusit në të njëjtën kohë që vijon vaksinimi i popullatës. Në lidhje me këtë çështje ajo u shpreh se ky proces do të përfundojë në fillim të vjeshtës. “Në fund të tremujorit të tretë do të kemi vaksinuar të gjithë popullin tha ajo dhe nënvizoi se mund të ketë edhe të papritura gjatë rrugës, por kjo duhet trajtuar me kujdes.

Biden: Propozimi republikan nuk përmbush nevojat e situatës

Biden vë në zbatim taktikat e tij bipartizane dhe thërret në takim 10 senatorë amerikanë që ai i cilësoi si të moderuar. Temë e bisedës ishte fondi prej 1,9 trilionë dollarësh që do të shërbejë si ndihmë për individët dhe bizneset e prekur nga pandemia. Republikanët i sugjeruan presidentit që këtë shifër ta ulë në 600 miliardë. Biden i dëgjoi ata edhe pse me votat që ka në Senat, mund ta miratojë këtë fond pa mbështetjen e republikanëve. Më tej, së bashku me stafin e tij i dhanë detaje se si do të shpërndahej fondi i kërkuar.

Erdogan: Turqisë i duhet një kushtetutë e re

“Turqisë i duhet një kushtetutë e re “civile”. Ky ishte komenti i bërë mbrëmë nga presidenti Erdogan që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. “Ndoshta ka ardhur koha që Turqia të debatojë një kushtetutë të re. Puna duhet bërë para njerëzve, me angazhimin e pjesëmarrësve të tyre në një formë transparente dhe formulimi të ketë miratimin e popullit”. Këtë e justifikoi me faktin se dy kushtetutat e vendit ishin formuluar pas grushteve të shtetit. Erdogan nuk ofroi detaje në lidhje me propozimin e tij, por tha se do ta diskutonte këtë çështje me aleatët e partisë së tij.

Luhet sot në mbrëmje gjysmëfinalja e Kupës mes Inter dhe Juventusit

Luhet sot në mbrëmje akti i parë gjysmëfinal mes Inter dhe Juventusit. Kjo fazë e Kupës ndryshe nga të tjerat, do të zhvillohet me sistemin vajtje-ardhje, ndërsa do të merret parasysh rezultati i përgjithshëm i 180-minutave. Në San Siro, zikaltrit do të presin Zonjën e Vjetër sikurse bënë në sfidën e kampionatit të cilën e fituan 2-0, por këtë Inter duhet të bëjë pa sulmuesin kryesor Lukaku dhe mbrojtësin Hakimi, prej kartonave. Më ndryshe, situata në kampin e torinezëve të cilët kanë rigjetur grupin e plotë të lojtarëve me përjashtim të Paolo Dibalas që është në ditët e fundit të rekuperimit. Derbi i Italisë në Kupë, nis prej orës 20:45.