“Kemi pësuar abuzime të tmerrshme”, 5 femra hedhin akuza të rënda ndaj Marilyn Manson

Marilyn Manson është akuzuar nga 5 femra, përfshirë ish të fejuarën e tij Evan Rachel Wood, për “abuzime të tmerrshme” përgjatë viteve.

Ashley Walters, Sarah McNeilly, Ashley Lindsay Morgan dhe një grua që dha vetëm emrin, Gabriella, kanë postuar secila në Instagram mbi eksperiencat e tyre të pakëndshme me këngëtarin e famshëm.

Të gjitha thonë se kanë mbetur me trauma nga veprimet e Manson.

Pas këtyre postimeve, studioja e Marilyn Manson njoftoi se nuk do të bashkëpunojë më me këngëtarin: “Duke marrë shkas nga akuzat e rënda të 5 femrave, të cilat thonë se Marilyn Manson ka abuzuar me to, Loma Vista do të ndërpresë menjëherë promovimin e albumit të ri. Gjithashtu, kemi vendosur të mos bashkëpunojmë më me Marilyn Manson në të ardhmen”.

Po në Instagram erdhi edhe reagimi i Marilyn Manson, i cili tha se marrëdhëniet e tij intime kanë qenë gjithmonë konsensuale.

“Arti dhe jeta ime janë magnet për polemika përherë, por akuzat ndaj meje janë një shtrembërim i tmerrshëm i së vërtetës. Marrëdhëniet e mia intime kanë qenë gjithmonë konsensuale, me partnere që mendojnë njësoj si unë. Pavarësisht si dhe pse të tjerët kanë vendosur tani që të shikojnë ndryshe të kaluarën, kjo është e vërteta”, shkroi Manson në rrjetin social.