Mjekët shqiptarë letër BE-së, Dollenberg: Vaksinimi, arma e vetme për t’i dhënë fund pandemisë

Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë i ka dërguar një letër presidentes se Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, dhe ambasadorit Soreca, ku kërkon që Bashkimi Evropian të sigurojë një sasi vaksinash edhe për Shqipërinë. E ftuar në “Dita jonë”, në A2 CNN, mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Meta- Dollenberg, thotë se kjo letër është një apel ndaj Bashkimit Europian për politikën që po ndjek për procesin e vaksinimit. Ajo thekson se një nga faktorët që iu drejtuan presidentes së KE-së është e drejta legjitime që Shqipëria të marrë vaksinën në kohë dhe jo shumë vonë. Sipas saj, ky është hapi i parë i rezistencës ndaj injorimit që po i bën BE vaksinimit.

“Iu drejtuam presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për domosdoshmërinë që vendet evropiane janë në nevojë për vaksinën dhe vendet me të ardhura të ulëta si Shqipëria mund të spostohen në fund të listës dhe ne po përdorim ato të drejta legjitime që edhe vendi ynë të mos harrohet dhe të marrë në kohën e duhur vaksinat efikase. Ne kemi dy faktorë; e para që Von Der Leyen ka të njëjtën shtetësi si federatë ku jemi regjistruar dhe se po kërkojmë të drejta legjitime për të marrë vaksinën jo kur është shumë vonë. Ky është rreziku që kërcënon Shqipërinë dhe kjo letër është fillimi i rezistencës sonë ndaj injorimit që po i bën BE vaksinimit”.

Mjekja Dollenberg thekson gjithashtu se Shqipëria duhet të shohë mundësinë edhe për vaksina të tjera më të lira, si ajo ruse e kineze, mjafton që të jenë të sigurta.

“Përsa kohë që vaksina ruse e kineze janë të vërtetuara, nuk ka asgjë kundër. Çdo shtet duhet të shohë të përfitojë dhe nuk mund të marrë të shtrenjtat, duhet të marrë të sigurtat”.

Për Dollenberg, arma e vetme për t’i dhënë fund pandemisë këtë vit është vaksinimi, pasi masat kanë treguar që nuk kanë çuar në kontroll të saj. Sipas saj, nëse deri në vjeshtë vaksinohet mbi 60% e popullatës, atëherë mund të thuhet se kemi lënë pas shpine pandeminë.

“Në vjeshtën e këtij viti do jemi më të qartë për efikasitetin dhe efektet anësore të vaksinimit që kemi parashikuar janë 5%. Nëse vaksinojmë mbi 60% të popullatës mund të flasim me shumë besim që kemi hedhur pjesën më të madhe të pandemisë dhe kemi lënë pas shpine pandeminë. Karantinimi masiv nuk ka sjellë ulje masive të të infektuarve, të gjitha masat së bashku nuk kanë çuar një kontroll të pandemisë dhe vaksina mbetet arma e vetme e sigurt që pandeminë ta finalizojmë për këtë vit. Gjithë fokusi qëndron te vaksina dhe aty duhet të këmbëngulim që të vijë në kohën e duhur për të pasur sigurinë që do dalin të shëndetshëm”.

Duke folur për situatën e vaksinimit në Gjermani, Dollenberg shtoi se procesi aty është i ngadaltë, por i sigurt, si dhe duhet ndarë në kategori ku së pari janë azilet e pleqve dhe personeli shëndetësor. Sipas saj, disa urgjenca janë mbyllur se nuk ka më shtretër. Ndërsa sa i takon skeptikëve, ajo tha se zënë 15-20% të popullsisë.

“Vaksinimi në Gjermani, i ngadaltë. Disa urgjenca janë mbyllur se nuk ka më shtretër, por besoj që situata po stabilizohet nga dita në ditë. 50 qendrat e vaksinimit po japin takime përditë, gjithsesi procesi është i ngadaltë, por i sigurt dhe këtë plan të Merkel do ta realizojmë. Në kategorinë e parë janë futur azilet e të moshuarve dhe personeli shëndetësor, në 3-mujorin e parë. Në të dytin, popullata jashtë ambienteve spitalore, të moshuarit mbi 75 vjeç. Fëmijët dhe gratë shtatzëna në fund të listës dhe pas tyre ata që e kanë kaluar Covid.  Gjermania ka sistem pozitiv të shpërndarjes së informacionit për efikasitetin, këshillimi është shumë efikas dhe është shembull që duhet ndjekur për Shqipërinë, që pacienti të marrë informacion të saktë. Në Gjermani, shumë persona janë skeptikë, por nuk e kalojnë 15-20-%”.