Peleshi në Bazën Ajrore të Kuçovës: Në vjeshtë, nis investimi i NATO-s

WhatsApp Image 2021 02 02 at 12.18.24 1 1100x620

Punimet për rindërtimin e Bazës Ajrore të Kuçovës pritet të nisin në muajin tetor të këtij viti dhe do të përfundojnë në fund të viti 2023. Njoftimi u dha nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili vizitoi bazën dhe pa nga afër mjediset ku do të ndërhyhet për investimin e NATO-s. Ai tha se aktualisht ndodhen në fazën e procedurave të prokurimit nga Agjencia e Prokurimit e NATO-s.

“Punimet synohet të nisin në vjeshtën e këtij viti dhe tani jemi në fazën e procedurave të prokurimit nga Agjencia e Prokurimit e NATO-s. Në fund të marsit, pritet të lidhen kontratat me kontraktorët. Ka shumë të interesuar, kontraktorë vendas dhe të huaj që do të operojnë për të zbatuar projektet. Në planin tonë kalendarik të punimeve në këtë bazë parashikohet nga muaji tetor-nëntor të nisnin punimet që do të zgjasin deri në fund të vitit 2023”, u shpreh Peleshi.

Sipas tij, ky është projekti më i rëndësishëm i viteve të fundit, jo vetëm për infrastrukturën dhe kapacitetet e modernizuara, por rrit edhe peshën strategjike të vendit tonë në rajon dhe më gjerë.

“Jemi të gjithë të angazhuar dhe në kohë me kalendarin tonë, si me shpronësimet si me ato pjesë të punimeve që i kemi marrë përsipër t’i kryejmë, që nga rrethimi i bazës, rrugët e brendshme, furnizimi me energji elektrike dhe ujë, të cilat janë pjesë e investimit të palës sonë. Kontributi i palës shqiptare shkon në rreth 10 % të vlerës së përgjithshme të investimit në këtë bazë, e cila me investimin e NATO-s do të kthehet në një bazë taktike të dislokueshme”.

Investimi prej rreth 50 milionë euro, 5 prej të cilave nga buxheti i shtetit, konsiston në ndërtimin e depove të armatimit dhe të karburantit, stacioneve të armatimit, parkingut të avionëve, stacionit  kundër avarive dhe zjarreve, rindërtimin e pistës dhe kullës së kontrollit.