Pushkë, piktura dhe enë argjendi, konti skocez nxjerr në shitje thesarin e fshehtë

Konti i Sadhërlendit (Sutherland) ka vendosur të shesë qindra sende me vlerë, që kanë qenë në pronësi të familjes së tij prej shekujsh, por që qëndronin te fshehura në kështjellën historike në Dunrobin, në malet e Skocisë.

Mes objekteve të nxjerra në ankand nga aristokrati britanik janë disa buste dhe skulptura mermeri, një koleksion armësh dhe fotografi e piktura historike. Por edhe pse çmimi fillestar i tyre mund të arrijë deri në 10 mijë paund, në ankand do të ketë edhe sende të tjera më të lira, me çmime që fillojnë nga 80 paund, si enë argjendi apo forma për të bërë biskota. Ankandi pritet të mbahet në prill, ku në total do të nxirren në shitje 450 objekte.

Kreu i familjes është Alastair Sutherland, i cili është Konti i 25-të i Sadhërlendit, për faktin e vetëm se ka lindur disa minuta para vëllait të tij binjak, Martin. Në shtator, u zbulua se mamaja e tyre Elizabeth, para se të ndërronte jetë kishte ndarë në mënyrë aspak të barabartë pasurinë e familjes, që vlerësohet të jetë 18 milionë paund. Përveç titullit, Alastair trashëgoi edhe pjesën më të madhe të pronave dhe parave, ndërsa vëllai binjak mori vetëm 250 mijë paund. Ndërsa motra e tyre, Lady Annabel Bainton, trashëgoi 3,5 milionë paund.