Rama dhe 50 mjekë drejt imunizimit, 40 mijë doza brenda shkurtit

Nis aplikimi i dozës së dytë të vaksinës së Pfizer. Mes mjekëve dhe infermierëve të parë që po imunizohen ndaj Covid-19, është dhe kryeministri Edi Rama. Pasi mori dozën tjetër, 21 ditë pas të parës, kreu i qeverisë deklaroi se ditët në vijim do të bëjë publik nivelin e imunizimit nga koronavirusi.

Do të duhen të paktën 7 ditë nga marrja e dozës së dytë për krijimin e antitrupave mbrojtës ndaj virusit.

Mjeku Tritan Kalo, pasi përmbylli procesin e vaksinimit, tregon për A2 se të imunizuarit nuk kanë rrezik infektimi, për sa kohë kanë antitrupa, por janë transmetues për të tjerët nëse bien në kontakt me virusin.

Ende nuk dihet jetëgjatësia e antitrupave ndaj Covid-19, ndaj mjeku i Spitalit Infektiv këmbëngul për respektimin e masave nga e githë popullata.

1170 dozat e ardhura nga Pfizer do të aplikohen tek mjekët dhe infermierët e tjerë të 4 spitaleve Covid. Ndërsa brenda shkurtit pritet të vijnë dhe 40 mijë doza të tjera.

Nga nisja e fushatës janë vaksinuar mbi 650 mjekë dhe infermierë të spitaleve Covid, ndërsa 50, mes tyre kryeministri Edi Rama, kanë përmbyllur procesin e vaksinimit me dy fazat e saj.