“Së shpejti vaksinimi për të moshuarit”, Manastirliu: Nuk kemi asnjë rast të varianteve të reja të Covid

ogerta 1100x620

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se deri më tani nuk kemi asnjë rast të identifikuar me variantet e reja të koronavirusit.

“ISHP, ashtu sikurse ju ka informuar, dërgon në mënyrë të vazhdueshme mostra të analizave, qoftë për mutacionet e reja që kanë dalë, qoftë dhe për verifikimin dhe certifikimin që i duhet në vazhdimësi për punën e tyre. Ky është një proces dinamik, deri më tani nuk kemi të identifikuar raste të varianteve të reja të Covid-19, por puna është duke vazhduar”.

Deklarata e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u bë pas nisjes së procesit të vaksinimit me dozën e dytë të 50 mjekëve dhe infermierëve të parë të spitaleve COVID, në Stadiumin Air Albania. Ajo theksoi se së shpejti do të nisë vaksinimi për të moshuarit në qendrat e kujdesit rezidencial, ndërsa procesi i vaksinimit do të jetë i kombinuar.

“Nga sot, do të marrin dozën e dytë mjekët dhe infermierët e parë që kanë bërë vaksinën anti-COVID, ndërsa do të vijohet me vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve në vijën e parë. Në javët në vijim, do të vijnë fillimisht 10 000 dhe 30 000 doza dhe procesi i vaksinimit do të jetë i kombinuar dhe sapo të vijnë dozat e tjera do të fillojmë edhe me të moshuarit në qendrat e kujdesit rezidencial”.

Sa i përket procesit të vaksinimit, Manastirliu u shpreh se ai do të shtrihet në territor.

“Arena Kombëtare” është qendra e parë që ne kemi hapur për vaksinimin e përqendruar. Por gjithashtu do të shtrihemi edhe në territor me qendra të tjera të vaksinimit të përqendruar. Si edhe me vaksinimin kapilar në strukturat e qendrave shëndetësore, në momentin që do të kemi ardhjen e serive të tjera të vaksinave që pritet të vijnë qoftë nga Pfizer apo ashtu sikurse ju e dini do të kemi shumë shpejt të finalizuar një marrëveshje me AstraZeneca, për të marrë doza vaksine anti-COVID edhe nga kjo kompani”.

Manastirliu përsëriti atë që deklaroi kryeministri ditë më parë se janë 3 skenarë vaksinimi.

“Plani ynë i vaksinimit përfshin të gjithë popullatën e rekomanduar për t’u vaksinuar. Ne jemi të përgatitur që të mbulojmë të gjithë popullatën sipas dozave të parashikuara. Kemi tre skenarë, ai më ambiciozi është të kryejmë brenda 14 muajve për vaksinimin e popullatës. Skenari i dytë është 18 muaj dhe skenari i tretë është 24 muaj. Sigurisht që ambicia jonë është që të vijojmë me skenarin e parë për të bërë të mundur sa më shpejt vaksinimin e popullatës”.

Duke u shprehur se jemi në një situatë delikate, Manastirliu ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të respektuar rregullat anti-COVID.

“Ne do të vijojmë me procesin e vaksinimit, por edhe njëherë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve për vigjilencë të shtuar, pasi jemi në një situatë delikate dhe duhet të bëjmë maksimumin tonë për të ruajtur masat e thjeshta, për të mbrojtur veten dhe të afërmit tanë”, tha Manastirliu.