Specialistja e ISHP shpjegon për A2 pse nuk u ashpërsuan masat shtrënguese

Marjeta Dervishi, specialiste e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2, shpjegoi pse autoritetet nuk vendosën për masa të reja shtrënguese, edhe pse thanë se ka rritje të rasteve të reja, të të shtruarve në spital dhe viktimave.

“Jemi të shqetësuar, por jemi në monitorim të situatës. Ndjekja në dinamikë do të bëjë që ne të vazhdojmë me këto masa apo t’i ndryshojmë ato. Kemi të bëjmë me një qëndrueshmëri të këtij pozitiviteti dhe për këtë mendojmë të vazhdojmë me të njëjtat masa. E vetmja gjë që do të diskutohet janë universitetet, meqë po afrojnë provimet”, u shpreh Dervishi.

Kur u pyet pse është shtuar numri i të rinjve të infektuar, specialistja u përgjigj: “Arsyeja kryesore është mosrespektimi i masave. Të rinjtë duhet të respektojnë masat, të ruajnë distancat dhe të mos grumbullohen. Qytetarët duhet të rrisin vigjilencën dhe të ndryshojnë sjelljen, në mënyrë që të ulet infeksioni”.

Në lidhje me vaksinimin, Dervishi theksoi se “është shumë e nevojshme që fillimisht të vaksinohen bluzat e bardha, për të ndaluar zinxhirin e transmetimit”.