Turku mbështetës i Gylen, Simsek “këmbëngul” për azil, padi në Apelin Administrativ

Turku Selami Simsek e ka zhvendosur në Gjykatën Administrative të Apelit betejën ligjore për të fituar statusin e azilantit politik në Shqipëri.

Simsek, që pretendon se përndiqet nga autoritetet turke pasi familjarët e tij janë dënuar si mbështetës të Gylen, ka apeluar vendimin e Shkallës së Parë, që rrëzoi përpjekjen e tij për azil.

Në Apel, Simsek kërkon të shfuqizojë vendimet e Drejtorisë së Azilit dhe Komisionit Kombëtar për Azilin, që i refuzuan statusin. Njëkohësisht ai kërkon edhe marrjen e një mase sigurimi padie, për të mos lejuar asnjë veprim për deportimin, dëbimin, apo largimin e tij nga territori i Republikës së Shqipërisë.

Nga ana tjetër, javën e parë të janarit, Gjykata e Strasburgut, e vënë në lëvizje nga avokati i Simsek, Elton Hysini, udhëroi Shqipërinë të mos dëbojë turkun deri në përfundim të procedurave gjyqësore në vend.

Selami Simsek u arrestua në korrik 2019 në Aeroportin e Rinasit, teksa po tentonte të largohej drejt Kanadasë me një pasaportë false. Në janar 2020, Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 18 muaj burg për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”.