Udhëzimi i ri, si përfitohen lejet shpërblyese dhe ato të veçanta për të burgosurit

Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë një udhëzim të ri sa i përket lejeve të veçanta dhe atyre shpërblyese për të burgosurit në të gjithë Republikën e Shqipërisë.

I botuar në fletoren zyrtare udhëzimi përcakton qartë se si mund të përfitohen këto leje, ndërsa ka dhe ashpërsim të rregullave për të minimizuar abuzimet apo dhe thyerjen e tyre.

Kështu çdo i burgosur ka të drejtën e 20 ditëve leje në vit, por kohëzgjatja për çdo të dënuar përcaktohet duke marrë në konsideratë dhe duke vlerësuar disa tregues, si sjellja e të dënuarit, trajtimi për herë të parë me leje shpërblyese, pjesa e mbetur e dënimit si dhe situata social-ekonomike e familjes.

Seksioni ligjor, por edhe ai i sigurisë e kujdesit social duhet të përgatisë raporte pas marrjes së kërkesës për leje nga të burgosurit, ndërsa përgjigjja e drejtorit të burgut duhet të kthehet brenda 48 orësh.

Ajo që bie në sy është se për të marrë një leje shpërblyese apo të veçantë duhet të plotësohen disa kritere të cilat janë normative. Mes 17 të tillave janë dhe që kur i dënuari nuk ka paraqitur rrezikshmëri të veçantë shoqërore, brenda një viti nga paraqitja e kërkesës apo dhe kur nuk ka nxitur apo nuk është përfshirë në rebelimin e të burgosurve.

Mes të tjerash, komisioni nuk do të japë leje edhe për ata të burgosur të cilët mund të simulojnë sa i përket gjendjes së tyre shëndetësore apo dhe nuk ka mbajtur higjienën e tij personale, por edhe të sendeve të qelisë së tij. Në të gjithë vendin, numërohen mbi 6 mijë të burgosur të cilët vuajnë dënimet në 24 burgje.