Zgjedhjet në Veri, pa OSBE. Nis votimi me postë jashtë Kosovës

zgjedhje kosove 1100x620

Ka nisur zyrtarisht votimi me postë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Të gjithë qytetarët që janë regjistruar si votues jashtë vendit, do të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre duke nisur nga sot, deri më 12 shkurt.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar paraprakisht se 175 mijë persona kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Megjithatë, sqaron se ky numër mund të ndryshojë, pasi ende nuk ka përfunduar shqyrtimi i të gjitha kërkesave.

Fushata elektorale nis zyrtarisht të mërkurën dhe përfundon më 12 shkurt, por partitë politike kanë nisur me kohë me shpalosjen e programeve të tyre.

Ndërkohë, KQZ ka bërë një hap të guximshëm dhe nuk e ka ftuar misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në Kosovë për ta ndihmuar me organizimin e zgjedhjeve në veri të vendit. KQZ vlerëson se janë arritur kapacitetet e mjaftueshme për ta mbikëqyrur dhe organizuar vetë procesin zgjedhor në të gjithë Kosovën.