Franca do të nisë prodhimin e vaksinës Moderna nga marsi, kurse Pfizer-BioNTech në prill

“Dy kompani franceze do të fillojnë të prodhojnë vaksinën e Moderna-s kundër Covid-19 në mars dhe Pfizer / BioNTech në prill”. Lajmi u dha nga ministrja e Industrisë, Agnès Pannier.

“Vendi i parë i prodhimit do të jetë në mars për vaksinën Moderna dhe në prill, do të jetë një tjetër vend për vaksinën Pfizer / BioNTech. Ndërsa, në maj, duhet të jetë për vaksinën CureVac, për të cilën po presim autorizimin e marketingut”, tha Agnès Pannier-Runacher.

Ministrja tregoi se edhe laboratori francez Sanofi, i cili ka shtyrë prodhimin e vaksinës së tij në gjysmën e dytë të 2021, do të prodhojë gjithashtu.

Një ditë më parë, presidenti Emmanuel Macron njoftoi se prodhimi i vaksinave në Francë do të fillonte nga fundi i shkurtit, ose fillimi i marsit. Deklarata e tij u bë në fund të një takimi me laboratorët e mëdhenj francezë dhe evropianë.

Kreu i Shtetit kishte treguar se katër zona prodhimi do të merrnin pjesë në krijimin e vaksinave të zhvilluara nga laboratorë të tjerë, përfshirë tre nënkontraktorë francezë.

Kriza shëndetësore ka shtyrë qeveritë të bëjnë presion për prodhimin më të gjerë të vaksinave tashmë të disponueshme, duke tejkaluar rezistencën e ashpër të industrisë ndaj ndarjes së sekreteve të pronës intelektuale.