Maqedonia e Veriut e nis imunizimin me vaksinën kineze

Vaksina Kineze 1100x620

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, bëri me dije se në ditët në vijim do të nisë në vend procesi i vaksinimit në vend dhe se vaksina që do të përdoret do të jetë ajo e kompanisë kineze Sinovac.

Përmes një deklarate për shtyp, Filipçe njoftoi se është arritur një marrëveshje për 200 mijë vaksina nga Kina, por shtoi se janë duke u zhvilluar negociatat dhe me kompani të tjera, të cilat tashmë i kanë nxjerrë vaksinat në treg.

“Vaksinimi kundër COVID-19 në vendin tonë do të fillojë me vaksinat kineze për furnizimin e të cilave jemi në fazën finale. Bëhet fjalë për 200 mijë vaksina për të cilat transportin e organizon Ministria e shëndetësisë”, tha Filipçe.

Gjithashtu, ministri shtoi se njësoj si në vendet e tjera, të parët që do të vaksinohen do të jenë punonjësit e sistemit shëndetësor.