Nis sot zyrtarisht fushata për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë

kosove kuti votimi 1100x620

Nis sot zyrtarisht fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Për dhjetë ditë me radhë, subjektet politike do të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën e 14 shkurtit.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ishte partia e parë që hapi fushatën, menjëherë pas fillimit të afatit zyrtar mbrëmë në mesnatë, përmes një videomateriali, në të cilin kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, shpalosi zotimet dhe prioritetet e tij në mandatin qeverisës.

Në orën 17:00, LDK do të hapë fushatën në Podujevë, komunë kjo të cilën ajo e humbi në garën e vitit të kaluar për kryetar, për herë të parë pas 20 vjet qeverisje.

Vetëvendosje, kandidat për kryeministër, në garën e 14 shkurtit, ka Albin Kurtin, i cili gjatë shpalosjes së programit qeverisës tha se ai është bartës i listës, pavarësisht se KQZ e ka lënë jashtë duke zbatuar kështu aktgjykimin e Kushtetueses se në garën zgjedhore nuk kanë të drejtë pjesëmarrjeje personat e dënuar për vepra të ndryshme penale në tri vjetët e fundit.

Vetëvendosja do të hapë fushatën zyrtarisht në Pejë, në orën 12:30, ndërsa në ora 10:00 do të bëjë hapjen edhe në qytetet e tjera, si Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj.

Listës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i prin Enver Hoxhaj që kandidon për postin e kryeministrit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot hap zyrtarisht fushatën në Prizren, në orën 15:00. Listës së kësaj partie i prin Ramush Haradinaj, i cili nuk synon postin e kryeministrit, por atë të presidentit të vendit.

Hapjen zyrtare të fushatës do ta bëjë edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, kandidat për kryeministër të Kosovës, në orën 13:00.

Ndryshe, gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 8 janar – 16 janar, kanë dorëzuar aplikimin për certifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsej 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1079.

Për të garuar në këto zgjedhje është regjistruar edhe subjekti politik më i madhi i serbëve të Kosovës, Lista Serbe dhe parti të tjera të pakicave të tjera. 10 ulëse janë të rezervuara vetëm për përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ndërsa 10 vende tjera për pakicat të tjera në Kosovë.

Bashkimi Evropian pret që zgjedhjet në Kosovë të zhvillohen sipas standardeve evropiane dhe të jenë transparente e gjithëpërfshirëse.