Programi i PD për arsimin, Mehmeti: Ndihmon familjet, standardizon shkollat në mbarë vendin

Partia Demokratike prezantoi ditën e mërkurë programin e saj për arsimin, ku parashikohej rritjet e pagave për mësuesit, tekste falas, transport falas dhe rritje e buxhetit për këtë sektor.

Një nga hartuesit e këtij programi në PD, Ndriçim Mehmeti, ishte i ftuar në Ditarin e mbrëmjes, në A2, ku solli detaje të reja për ndryshimet që parashikon ky program.

Sipas Mehmetit, programi prek të gjithë popullatën dhe shkon te familja. Ai shtoi se një pikë e rëndësishme e tij është unifikimi i standardeve në të gjitha shkollat.

“Ky program prek të gjithë masën e popullatës. Jemi përpjekur që programi të shkojë te familja. Kur ne flasim një rritje të rrogave për mësuesit do të thotë që në fund të mandatit të parë nuk do të ketë mësues që do të marrë më pak se 700 euro dhe kjo është e llogaritur shumë mirë nga ekspertët e ekonomisë. Kur flasim për 350 mijë tekste falas, flasim direkt për familjet të cilat sot harxhojnë nga 3 mijë lekë deri në 9 mijë e 800 lekë për blerjen e librave për fëmijët e tyre.

Do të ketë transport falas për të gjithë ata fëmijë që nuk shkojnë dot në shkollë, së pari për largësi, së dyti për mungesë infrastrukture dhe së treti për mungesë të një transporti të modernizuar. Gjithashtu, parashikohet që të gjithë ata punonjës që punojnë një ose dy punë, ne iu mundësojmë nxënësve që të qëndrojnë në shkollë dhe do të kenë ndihmësmësuesit, mësuesit e tyre dhe 1500 stazhierë që bëjnë praktikën profesionale, që do t’iu qëndrojnë pranë.

Do të unifikojmë standardet në shkolla, si në zonat më të thella dhe në mes të Tiranës, shkollat do të jenë njësoj. Sot, numërohen me gishtat e dorës shkollat e reja. Ne do të dyfishojmë buxhetin për arsimin. Nga varfëria mund të dilet përmes arsimimit”, tha Mehmeti.