Programi për arsimin, Vokshi: Sot, 1 në 4 nxënës braktis shkollën

vokshi 3 1100x620

Nisi me protestën e studentëve, prezantimi i programit të arsimit të Partisë Demokratike, në vijim të prezantimit të programeve elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Përfaqësuesja demokrate, Albana Vokshi, e cila shpesh ka ngritur problematikat e arsimit këto kohë, theksoi se 1 në 4 studentë e nxënës braktisin shkollën, ndërsa studentët më të mirë largohen nëpër botë.

“Sot, 1 në 4 nxënës apo student braktis shkollën. 32 mijë nxënësit më të mirë, më të talentuar, në 3 vitet e fundit, janë larguar për në universitetet e Europës apo botës. Largësia nga shkolla, të ardhurat e pakta familjare, migrimi, varfëria kanë bërë që braktisja e shkollës këto 8 vjet në vendin tonë të jetë sa dyfishi i vendeve të Bashkimit Europian.

 Mësuesit patën një rritje gjigante pagash gjatë qeverisjes së PD, mbi 200%, (marrë parasysh edhe inflacionin e kohës). Rama premtoi rritje të pagave të mësuesve 40%, por rriti vetëm mashtrimet dhe propagandën. Në 8 vjet, duke llogaritur inflacionin, rritja është krejt e papërfillshme. Mësuesit nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe të ujit, jo më të sigurojnë një jetesë më të mirë për vete dhe familjet e tyre”.

Sipas Vokshit, në këto 8 vite, Rama dështoi me premtime boshe, ndërsa PD-ja angazhohet për investime në burime njerëzore.

“Njerëzit me të vërtetë i kanë sytë nga ne për të krijuar ndryshimin, për të cilin ka shumë nevojë ky vend. 8 vjet dështimi total. 8 vjet nuk është bërë asgjë, vetëm premtime boshe. 8 vjet qytetarët e dëgjojnë të flasë, por nuk besojnë asnjë fjalë që ai thotë. Ndaj është koha që Rama të largohet. Investimi në burimet njerëzore e, në radhë të parë, në arsim, është strategjia më e sigurt për zhvillimin e qëndrueshëm, afatgjatë dhe me kthimin më të madh për ekonominë”.

Vokshi thekson se plani demokrat për arsimin është një plan i kompletuar, serioz dhe i zbatueshëm.

“Një plan i realizueshëm. E që do ta zbatojmë menjëherë pasi koalicioni i bashkuar,  i kryesuar nga Lulzim Basha do të fitojë zgjedhjet e 25 prillit e do ta kthejë Shqipërinë te qytetarët”.

Vokshi theksoi se Edi Rama e shndërroi sistemin arsimor në një sistem diskriminues për nxënësit dhe studentët e varfër. “Për këtë qeveri ata janë qytetarë të dorës së dytë. Programi i PD-së kujdeset të trajtojë me respekt e dinjitet mësuesit dhe pedagogët tanë të dashur. Ata janë heronjtë tanë dhe meritojnë shumë më tepër”.