Propozimi i PD për taksën e sheshtë, Malaj: Nevojitet rritje ekonomike për ndryshime të tilla

3 SHKURT A2 BUSINESS CLEAN frame 104517 1100x620

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, foli në A2 Business Week për programin ekonomik të Partisë Demokratike, ku parashikohet kthimi i një takse të sheshtë në nivelin 9%.

Ndonëse, sipas Malaj taksa e sheshtë ka avantazhet e veta, për të ndërmarrë ndryshime kaq drastike për mënyrën e taksimit duhet të ketë një rritje të madhe ekonomike, gjë kjo që momentalisht është e goditur nga pandemia dhe pasiguria.

“Nuk duhet absolutizuar impakti i një takse të vetme në sfidat që ka një vend. Në fund të fundit, ne mbledhim të ardhura për të financuar ekonominë, arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, skemën e pensioneve që është 50% deficitare dhe elemente të tjera. Tani taksa e sheshtë; unë nuk e quaj taksë armiqësore sepse ka 3 avantazhe që studiuesit njohin, e para e lufton më lehtë informalitetin, e dyta është një taksë që mblidhet me një kosto më të ulët dhe ndihmon në uljen e korrupsionit.

Problemi qëndron që nëse ne ulim një taksë, na duhet një nivel i caktuar i rritjes ekonomike, që të rriten të ardhurat e tatueshme që ta kompensojë nivelin e uljes së taksës. Kjo do të jetë sfida e programit elektoral që do të ketë Partia Demokratike. Në vende të tjera taksa e sheshtë ka nisur dhe 26% dhe pas disa vitesh kur mblidheshin të ardhura ajo ulej në 20% apo dhe më pak.

Ndërsa ndryshimi drastik i taksave, kur rritja ekonomike është vënë në dyshim për shkak të pandemisë, pasigurisë dhe panikut, kërkon një punë më thellësisht profesionale të ekspertëve të PD-së për të qartësuar burimet potenciale”, u shpreh Malaj.