Shtimi i prurjeve, liqeni i Fierzës mbushet me mbetje plastike e drusore

Pas reshjeve të muajit janar prurjet kanë shënuar rreth 1600 metër kub ujë në sekondë në liqenin e Fierzës. Këto prurje përveçse kanë rritur ndjeshëm kuotën e liqenit, kanë sjellë me vete tonelata mbetjesh plastike e lëndë drusore, duke mbuluar sipërfaqen e liqenit në pjesën më të madhe të tij.

Tek-tuk, mes mbeturinave që pluskojnë në sipërfaqe mezi dallohen edhe varkat e peshkatarëve që përpiqen të çlirojnë rrjetat e mbushura me mbetje. Problemi i ndotjes, është i mbartur prej vitesh dhe sa vjen e rëndohet. Pjesa më e madhe e mbetjeve vijnë nga Drini i Bardhë që përshkon pesë qytete të rëndësishme të Kosovës, por edhe përmes Drinit të Zi që vjen nga Maqedonia e Veriut e në kryqëzimin e tyre në Kukës sjellin mbetjet e qyteteve që përshkojnë. Sipas specialistëve, dëmet janë të pallogaritshme për faunën e liqenit të Fierzës, i cili popullohet nga të paktën shtatë lloje peshqish.

Me fushata periodike në vjeshtë e pranverë qytetarët, pushteti lokal dhe organizatat jofitimprurëse janë përpjekur të pastrojnë brigjet e liqenit dhe sipërfaqen e tij, por fenomeni përsëritet dy-tri herë në vit, në çdo rast që ka ulje e ngritje të kuotës në liqenin e Fierzës. Ndërsa përpjekjet ndërshtetërore duket se nuk po japin efekt.