Trajneri i ri i Skënderbeut, Memelli: Objektivat me radhë, t’i largohemi fundit të tabelës

Një bomber për stolin. Skënderbeu prezantoi Migen Memellin, që si ish-futbollist ka mbrojtur dy herë ngjyrat bardhekuq. Trajneri ka detyrën të ndryshojë ecurinë e skuadrës, e cila pas një dekade suksese e sheh veten për herë të parë në fundin e renditjes. Aventura e 40-vjeçarit nis me sfidën ndaj Tiranës, një skuadër ku Memelli është shpallur kampion si lojtar dhe si trajner me moshat.

“Ajo që premtoj për komunitetin e futbollit këtu është puna e madhe dhe përkushtimi i pareshtur. Pjesa tjetër, objektivat do t’i shohim ndeshje pas ndeshje. Më bindi përvoja e madhe që ka klubi, ambientet, terrenet, ajo që më bën optimist është baza e lojtarëve individualisht, që kanë shumë cilësi.

Debutim ndaj Tiranës? Tirana është një klub i njohur për mua. Shpresoj që tani që mbroj Skënderbeun, besoj të bëj një ndeshje sa më të mirë. Te Tirana kam shumë miq, brenda 90 minutave do të bëjmë gjithçka për maksimumin”, tha Memelli.

Memelli e ka të qartë atë që kërkon nga skuadra, duke tentuar të motivojë ekipin që të mos i trembet rivalëve.

“Asnjëri rival nuk kemi, kemi veten. Do të bëjmë maksimumin për veten tonë. Ekipet e tjera në tabelë duhet të jenë një numër që thjesht që s’duhet të referohemi. Punën kemi me veten tone”, shtoi ish-sulmuesi.

Trajneri i ri do të debutojë të shtunën, në ndeshjen Tirana-Skënderbeu.