Trupi i pajetë i të riut vjen pa zemër në Tiranë nga Spanja, zbardhet rrëfimi i motrës

Një 33-vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë në një spital në Spanjë, por trupi i tij ka mbërritur në Shqipëri pa zemër. Mungesa e organit në trupin e të ndjerit Saimir Sula, është konstatuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ndërsa prokuroria e kryeqytetit ka regjistruar një procedim penal për “shitblerje e paligjshme e organeve”.

A2 zbardh dëshminë e motrës së të ndjerit, Majlinda Sula, referuar dosjes së prokurorisë, ku zbulohen detaje të ngjarjes së pazakontë. Ajo ka rrëfyer se në 9 maj të vitit 2020, teksa jetonte në Barcelonë, Spanjë, kishte shoqëruar vëllain e saj, Saimir Sula, përdorues të lëndëve narkotike, në spitalin “Del Mar” pas dyshimeve për Covid-19. Të nesërmen, teksa një infermiere i kishte thënë në telefon se do t’i bënin një kontroll mushkërish, vëllai i ka thënë në telefon duke qarë “Majlinda këtu po më marrinshpirtin, i thuaj infermieres të më lirojë pak se po vdes”.

Deklaruesja ka mësuar të nesërmen se vëllai ishte negativ në testin e Covid-19 dhe duke pasur parasysh faktin se vëllai mjekohej me anti-psikotikë dhe kishte frikë nga njerëzit, ka kërkuar ta merrte në shtëpi. Rreth orës 18:00 të së njëjtës ditë ajo është telefonuar nga spitali, ku i kanë thënë se vëllait i ka pushuar zemra.

Pas dyshimeve për neglizhencë mjekësore motra ka kërkuar autopsi për vëllain në Barcelonë. Të njëjtën gjë, ajo e ka kërkuar edhe në Shqipëri, ku Instituti i Mjekësisë Ligjore ka konstatuar se në trupin e të ndjerit mungonte zemra.

Për llogari të këtij hetimi, Prokuroria e Tiranës ka nisur letërporosi drejt autoriteteve spanjolle të drejtësisë, ku kërkon ndër të tjera, dosjen mjekësore të Saimir Sulës, deklarime të mjekëve që janë kujdesur për të, si edhe identifikim të numrave nga është telefonuar motra e tij.