Aleatët e Bashës, të shtunën takim me Idrizin, në pritje Mediu

Mesi i shkurtit është afati i fundit kur partitë duhet të regjistrohen për zgjedhjet e 25 prillit si subjekte politike, më pas kanë 10 ditë kohë për të përcaktuar nëse do të garojnë me listën e një koalicioni apo si parti e vetme.

Por pavarësisht se afatet shtrëngojnë, duket se Partia Demokratike nuk e ka përcaktuar se në çfarë pozicioni në listat e saj do të jenë dy prej aleatëve të saj historikë, Partia Republikane e Fatmir Mediut dhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit.

Me Idrizin, A2 mësoi se kryedemokrati do të takohet të shtunën. Mbetet për t’u parë nëse pas takimit do të njoftohet arritja e marrëveshjes apo jo. Por, qarku ku do të pozicionohet Idrizi dhe kandidatët e PDIU-së në listë duket se mban peng dhe marrëveshjen me Vangjel Dulen, i cili nuk dëshiron një përballjen në të njëjtën zonë.

Ndërkohë negociatat me aleatin republikan, Fatmir Mediu, po vazhdojnë ende, por në nivele teknike. Mësohet se ai i ka dërguar demokratëve propozimet e reja dhe është ende në pritje të një përgjigjeje.

Në 6 mars duhet të dërgohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat finale të kandidatëve për deputetë. Formati i fletës së votimit miratohet më pas, por ajo që burimet thonë se është e sigurt, është mungesa e siglave të partive shkruar anash emrave të aleatëve në listën e përbashkët me të cilën do të paraqitet PD.