Britania e Madhe nis testimin e trajtimit të Covid me dy vaksina të ndryshme

Ka filluar në Mbretërinë e Bashkuar një studim për të verifikuar efektivitetin e imunizimit anti-Covid me dy vaksina të ndryshme në dozën e parë dhe të dytë, njësoj si qasja e tanishme me përdorimin e së njëjtës vaksinë për të dyja dozat.

Sipas BBC, studimi i quajtur ”Com-Cov” menaxhohet nga Konsorciumi Kombëtar i Vlerësimit të Programit të Imunizimit dhe përfshin mbi 800 vullnetarë në Angli mbi moshën 50 vjeç.

Ideja është të sigurohet më shumë fleksibilitet me përdorimin e vaksinave dhe të ndihmojë në trajtimin e çdo ndërprerje të mundshme të furnizimeve.

Shkencëtarët besojnë se përzierja e vaksinave mund të japë mbrojtje edhe më të mirë. Sipas tyre, mënyra e re e përzierjes që po provohet mund të jetë e dobishme. Për shembull, disa programe të imunizimit Ebola përfshijnë përzierjen e vaksinave të ndryshme për të përmirësuar mbrojtjen.

Disa do ta marrin fillimisht vaksinën e kompanisë AstraZeneca dhe më pas atë të kompanive Pfizer dhe BioNTech, katër ose dymbëdhjetë javë mes dozës së parë dhe të dytë, por në testim mund të shtohen edhe vaksina të tjera, nëse ato miratohen nga rregullatorët.

Shkencëtarët do t’i vëzhgojnë vullnetarët për efektet anësore të mundshme dhe do t’i analizojnë në hollësi testet e gjakut për të parë sesi po reagon sistemi imunitar i personave të vaksinuar me lloje të ndryshme të vaksinave.

Ministri i vaksinave tha se asnjë ndryshim nuk do të bëhej në qasjen aktuale të Mbretërisë së bashkuar të paktën deri në verë.

Aktualisht, udhëzimet zyrtare nga Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI) thonë se çdokush që ka marrë vaksinën Pfizer-BioNTech ose Oxford-AstraZeneca si pjesë e programit të imunizimit të miratuar në Mbretërinë e Bashkuar duhet të marrë të njëjtën vaksinë për të dyja dozat.

Në rrethana shumë të rralla mund të përdoret një vaksinë e ndryshme, nëse është në dispozicion vetëm një vaksinë, ose nuk dihet se cila është dhënë për dozën e parë.